Analize

Pse dështoi referendumi në Maqedoni dhe rruga në parlament

Nga Xhuliana Toçi- Për shumë ishte një moment historik që do të përcaktonte nëse Maqedonia do të shkonte drejt perëndimit apo orbitës së Kremlinit. Për të tjerë ishte një mundësi unike për të lënë gjurmë në historinë e vendit të vogël ballkanik. Por për qytetarët maqedonas referendumi për ndryshimin e emrit filloi, vazhdoi dhe u mbyll pa shumë zhurmë.

Pavarësisht organizimit të tubimeve në të gjithë vendin, fushatave masive në mediat sociale dhe vizitave të njëpasnjëshme të liderëve perëndimorë, vetëm 36 për qind e qytetarëve maqedonas vendosën të dilnin dhe të votonin. Në kryeqytetin e Shkupit shumica e qytetarëve e kaluan ditën nëpër kafene, të rrethuar nga pankarta të mëdha që bënin thirrje për mbështetjen e marrëveshjes me Greqinë. Nëpër rrethina shumica ishin të zënë me punët e përditshme dhe ashtu siç pritej komunat me shumicë shqiptare shënuan numrin më të madh të pjesëmarrësve. Edhe pse u konsiderua historike, për qytetarët maqedonas e diela e 30 shtatorit ishte një ditë mese e zakonshme. Por a do të jetë dështimi i referendumit fundi i ëndrrës europiane të Maqedonisë? Dhe a është gati vendi i vogël ballkanik për luftën e madhe politike që e pret?

Maqedonia në krizë politike

Marrëveshja me Greqinë erdhi në një periudhë mjaft të favorshme për Maqedoninë, e cila ka pësuar një rritje të vazhdueshme ekonomike dhe është pozicionuar më pranë se kurrë anëtarësimit në NATO. Qeveritë perëndimore janë kthyer në lobuesit më të mëdhenj të marrëveshjes, aq sa për një moment të gjithë menduan se suksesi i referendumit ishte i garantuar. Pjesëmarrja e ulët ishte e papritur e madhe jo vetëm për Perëndimin, por edhe për kryeministrin Zoran Zaev. Tanimë, ai është zgjuar nga “ëndrra europiane” për ta gjetur veten mes një krize të madhe politike. Pavarësisht se nuk arriti të siguronte pjesëmarrjen e shumicës qytetarëve për ta bërë të vlefshëm votimin, Zaev tha se do të pranonte vendimin demokratik të atyre që kishin votuar, duke theksuar se referendumi ishte kritik për orientimin perëndimor të Maqedonisë.

"Asnjë marrëveshje më e mirë nuk është bërë dhe do të mund të bëhet me Greqinë. Vendi ynë nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse të anëtarësohet në BE dhe NATO. Referendumi u vendos nga ata që dëshironin të vendosnin", tha ai në një konferencë shtypi pas mbylljes së qendrave të votimit. Udhëheqësi socialdemokrat duhet të përballet tanimë me kalimin e  marrëveshjes në parlament, ku po e pret duarkryq një opozitë mjaft armiqësore.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, voton në referendum 

Sipas rregullave, pas referendumit ligjvënësit maqedonas do të duhet të miratojnë një amendament kushtetues për të pasqyruar ndryshimin e emrit, një proces që do të ishte mjaft kompleks edhe po të ishte arritur shumica e nevojshme e votuesve. Por parlamenti mund të bëjë ndryshime të tilla kushtetuese vetëm me mbështetjen e së paku dy të tretave të deputetëve, që do të thotë, 80 nga 120 deputetë. Duke qenë se Zaev dhe koalicioni i tij aktualisht mbajnë 71 vende, atyre do t’u duhet të fitojnë përkrahjen e nëntë deputetëve të tjerëve.  Edhe pse referendumi zyrtarisht ishte vetëm "konsultativ", pjesëmarrja e ulët do ta bëjë të vështirë për socialdemokratët në pushtet që të bindin deputetët e opozitës të mbështesin ndryshimet kushtetuese.

James Ker-Lindsay, një profesor i Shkollës Ekonomike të Londrës vuri në dukje se ndonëse ndryshimi i emrit ka mbështetjen e Zaevit, partia nacionaliste e opozitës, VMRO-DPMNE do të bëje të pamundurën ta bllokojë në parlament.

 Pas protestave para parlamentit për dorëheqjen e tij, kryeministri Zoran Zaev, deklaroi në një konferencë për shtyp se nuk ka ndërmend të largohet dhe se vota pro e qytetarëve e obligon të çojë deri në fund procedurën parlamentare. Kryeministri paralajmëroi se në rast se nuk siguron dy të tretën e votave, Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Madje sipas Zaev fundi i nëntorit do të ishte datë e përkryer. “Tani e ka radhën parlamenti, për dhjetë ditë do të bëjmë përpjekje, por në rast se nuk arrijmë të sigurojmë dy të tretën e votave, atëherë alternativa jonë e vetme mbeten zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi ai.

“Pres që të gjithë udhëheqësit politikë ta respektojnë këtë vendim dhe ta marrin përgjegjësinë që të dalin përtej linjave partiake, në interes të vendit"”, shtoi kryeministri.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ishte zyrtari i parë perëndimor që reagoi pas referendumit, duke thënë se marrëveshja me Greqinë se mund ta sjellë Maqedoninë ekonomikisht dhe ushtarakisht më pranë perëndimit.

“Zaev ka sakrifikuar të ardhmen e tij politike për afrimin e vendit në sferën perëndimore. Tanimë vullneti i popullit duhet të pasohet nga veprimtaritë politike në parlament", u tha ai gazetarëve, duke insistuar që nëse marrëveshja nuk do të ratifikohej nga deputetët, qeveria maqedonase do të përdorte "një mjet tjetër demokratik" duke thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ky referendum është konsultativ, prandaj rezultati i tij nuk është i detyrueshëm. Megjithatë sugjerimi se Zaev mund të shpallë zgjedhje të përgjithshme për të rritur shumicën e tij parlamentare, është pritur mes frikës se mund të destabilizonte edhe më tej situatën në Maqedoni.  “Është pak e çuditshme që qeveria ka ndërmarrë fushata të mëdha në rrjetet sociale dhe vizitat e personaliteteve të profilit të lartë, për të bindur votuesit të mbështetin referendumin, pasi Zaev tashmë ka thënë se votimi është thjesht konsultativ”, tha Lindsey. “Është më tepër paradoksale që qeveria është e gatshme të marrë miratimin e publikut nga njëra anë dhe të marrë vendimin përfundimtar në parlament pavarësisht mënyrës se si votojnë qytetarët”, shtoi ai.

Protestë kundër marrëveshjes me Greqinq në Shkup

Përse nuk votuan qytetarët maqedonasit?

Pak pas mbylljes së qendrave të votimit, dhjetëra protestues u mblodhën para parlamentit të Shkupit, për të vendosur një flamur ku shkruhej: "Populli bojkotoi një gjenocid”. “Kjo është një ditë e keqe për Zaevin dhe një ditë e mrekullueshme për maqedonasit", thotë aktiviosti Martin Dukovski, duke qëndruar jashtë parlamentit. "Unë jam maqedonas dhe krenar. Qeveria mund ta kalojë këtë marrëveshje, por ajo prapëseprapë do të bllokohet në Greqi. "

Brenda kufijve të harkuar të Maqedonisë, pa dalje në det, çështjet kombëtare ngjallin gjithnjë debate të jashtëzakonshme. Shumë argumentojnë se emrin i vendit të tyre përcjell gjithashtu një ndjenjë të thellë identiteti, dhe se ndryshimi i tij, përbën një asgjësim ekzistencial.

"Emri im është Makedonska," thotë një punonjëse hoteli për mediat perëndimore, teksa hyn në një qendër votimi në Shkupi. "Çfarë do të bëjnë ata [grekët]? Të më kërkojnë edhe mua ta ndryshoj? "

Duke mbajtur një fjalim në OKB javën e shkuar, presidenti i republikës, Gjorge Ivanov, e përshkroi referendumin dhe dilemën që ai paraqiste si "vetëvrasje historike". Ish-profesori u ka kërkuar haptazi bashkëqytetarët e tij që të bojkotonin votimin.

Marrëveshja me Greqinë u pa me spekticizëm nga qytetarët maqedonas pasi ajo do të kërkojë më shumë sesa thjesht përditësimin e tabelave rrugore apo dokumenteve në Kombet e Bashkuara. Riemërimi do të duhet të pasqyrohet në të gjithë shoqërinë maqedonase, nga emri i agjencive qeveritare deri tek pasaportat e tij, patentat e shoferëve dhe madje edhe në monedhën e saj zyrtare. Edhe pse marrëveshja përcakton se qytetarët do të vazhdojnë të quhen maqedonas, është e paqartë nëse mund të thuhet e njëjta gjë për çështje më të përditshme, siç është emri i domain-it të vendit apo edhe ekipet e tij kombëtare sportive. Sikur mos të mjaftonte kjo listat zgjedhore nuk ishin përditësuar dhe numri i qytetarëve që jetojnë aktualisht në Maqedoni mund të jetë shumë i vogël.  Sipas “The Guardian”, nga 1.8 milion qytetarët në listat zgjedhore, 600,000 prej tyre besohet se kanë lëvizur jashtë vendit. Por emrin në listë nuk e gjeti as kryeparlamentari, Talat Xhaferi, i cili nuk arriti që të votojë. 

Shkup

A ndikoi Rusia?

Referendumi në Maqedoni u mbajt mes emocioneve, nacionalizmit, angazhimit të pashembullt të Perëndimit dhe ndërhyrjes së fuqishme nga ana e Rusia. Duke u ofruar mbështetje financiare dhe politike nacionalistëve maqedonas, Moska duket se ka triumfuar në përpjekjet e saj për të bojkotuar votimin. Pa filluar ende fushata, një muaj përpara votimit, në lojë hynë interesat gjeopolitike. Kryeministri Zaev deklaroi për mediat amerikane se qeveria e tij kishte marrë informacion se disa biznesmenë grekë të lidhur me Rusinë po i paguanin maqedonasit nga 13,000 deri në 21,000 euro për të përhapur dhunë përpara referendumit. Marrëdhëniet diplomatike midis Rusisë dhe Greqisë u përballën gjithashtu me të papritura, pasi dy diplomatë rusë u dëbuan nga Athina. Ata u akuzuan se po përpiqeshin të pengonin marrëveshjen, duke u dhënë ryshfet zyrtarëve shtetërorë dhe priftërinjve ortodoksë  Shqetësimet për ndërhyrjen ruse u ngritën publikisht edhe nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes James Mattis, gjatë vizitës së tij në Shkup. Pak para mbërritjes, Mattis ngriti sërish alarmin se Rusia po përpiqet të bllokonte  referendumin e shtatorit, për të penguar arritjen e një marrëveshjeje mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“Rusët hodhën para dhe zhvilluan një fushatë të gjerë influencimi në opinionin publik", deklaroi Mattis, duke theksuar se është e vështirë të përcaktohet efektiviteti i këtyre përpjekjeve. Vetëm pak para vizitës së tij, një përfaqësuese e lartë e Pentagonit, Laura Cooper deklaroi se Rusia po ndërhyn me dezinformime dhe metoda të tjera për të tjetërsuar votat e maqedonasve. Si shembuj të këtij ndikimi të Moskës, ajo vuri në dukje përpjekjet e Kremlinit për të bindur qytetarët maqedonas se referendumi nuk është i ndonjë rëndësi të madhe dhe nuk është hapi i fundit për pranimin e Maqedonisë në NATO. “SHBA-ja ka frikë se dezinformimi rus mund të çojë në pjesëmarrje të ulët në referendum dhe të japë përshtypjen se Uashingtoni nuk është i angazhuar në rajon”, deklaroi në atë kohë Cooper. Dhe në fakt kështu ndodhi. Pjesëmarrja ishte e ulët, mediat sociale ndikuan negativisht, ndërsa problemet me listat e zgjedhësve u shfaqën edhe në këte proces.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë