Politike

Pse Basha që nuk komentonte ndërkombëtarët, tani u del kundër

Sa herë që ndërkombëtarët, në Tiranë dhe jashtë saj, kanë dalë me deklarata qortuese ndaj aksioneve të Partisë Demokratike, qysh prej vitit 2013, kohë kur në krye të kësaj force politike erdhi Lulzim Basha, ky i fundit u ka qëndruar larg replikave.

Interesimit të gazetarëve për t’i marrë një koment mbi zhvillimet dhe deklaratat, sidomos të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike u përgjigjej gjithmonë me fjalinë se “nuk komentonte deklaratat e ambasadorëve”.

Por, në përfundim të protestës së të shtunës së 16 marsit Lulzim Basha iu kundërvu drejtpërdrejtë ndërkombëtarëve, madje foli edhe me gjuhën e tyre.

“No stability without democracy”, u shpreh ai.

Në shqip kjo përkthehet “nuk ka stabilitet pa demokraci”. Fjalët e zgjedhura prej kryedemokratit nënkuptojnë kundërshtimin e tij mbi qëndrimin, sidomos të Bashkimit Europian, i cili po akuzohet së fundmi se në Ballkanin Perëndimor po sakrifikon demokracinë për hir të stabilitetit duke mbështetur udhëheqësit e fuqishëm dhe autokratë.

Por, deklarata ishte edhe një mesazh i tërthortë drejtuar “Rrugës së Elbasanit”, aty ku ka selinë Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Një ditë para protestës së opozitës, kjo ambasadë doli me një deklaratë të drejtpërdrejtë e që nuk lë vend për interpretim.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara i konsideron Qeverinë dhe Parlamentin aktual të Shqipërisë të zgjedhura në mënyrë legjitime nëpërmjet zgjedhjeve të vitit 2017, të njohura ndërkombëtarisht”, thuhej në të.

Për Bashën ky mesazh i amerikanëve është në vazhdën e qëndrimeve të ndërkombëtarëve që po sakrifikojnë demokracinë për të shmangur trazirat në vendin tonë. Mesazhi konkret për protestën i ambasadës ishte mospranimi i dhunës.

“Pavarësisht se protesta paqësore është një shtyllë themelore e demokracisë, nxitja apo kryerja e veprimeve të dhunshme, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës publike, janë të paligjshme. Ne i nxisim të gjithë aktorët e demokracisë shqiptare që të ushtrojnë vetëpërmbajtje në protestën e 16 marsit”, vijon deklarata.

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156232823040838

Ambasada vlerëson reformat e ndërmarra, mes të cilave atë në drejtësi, ku ish-ambasadori Donald Lu dhe zyrtarët e tjerë të kësaj përfaqësie diplomatike u investuan drejtpërdrejtë. Ambasada thotë se ka ende shumë punë për të bërë në rrugën e reformave dhe qorton drejtuesit e opozitës për shmangie ndaj detyrimeve që kanë karshi qytetarëve shqiptarë.

Me përshkallëzimin e protestës së opozitës, kjo është hera e dytë brenda pak ditëve që Lulzim Basha shkel parimin e hershëm të tij për të mos komentuar deklaratat e ndërkombëtarëve. Më herët, në një intervistë të dhënë për EuroActiv, kreu i PD-së kritikoi Komisionin Europian se për të njëjtat arsye, pra për të ruajtur stabilitetin, po mbyll sytë përballë shkeljeve të demokracisë në vendin tonë.

Basha akuzoi KE gjithashtu se po tregohet i butë dhe po përkëdhel qeverinë e Edi Ramës për hir të stabilitetit në vend dhe rajon.

“Brukseli ka zgjedhur që të përqendrohet tek procesi teknik i harmonizimit të kuadrit ligjor për hir të stabilitetit dhe në kurriz të demokracisë. Ky tolerim i Bashkimit Europian është keqpërdorur nga udhëheqësit autokratikë në Ballkan, të cilët tani po rrezikojnë stabilitetin për shkak të korrupsionit, lidhjeve me krimin e organizuar dhe kapjes së shtetit”, thotë Basha.

Kreu i Partisë Demokratike ndan një qëndrim krejt të kundërt me atë të Kryeministrit Edi Rama dhe të vetë Komisionit Europian sa i takon reformës në drejtësi. Ai thotë se kjo reformë nuk ka ndryshuar asgjë dhe kultura e pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë dhe bosëve të krimit të organizuar është përforcuar.

“Prej kohësh ka dy standarde të drejtësisë, një për qytetarët e thjeshtë dhe një për njerëzit e pushtetshëm. Jemi i vetmi vend në botë ku Gjykata Kushtetuese mungon prej një viti. Shqipëria është sot në një situatë ku drejtësia mungon”, deklaron Basha.

Dhe në fakt, prej një viti, reforma në drejtësi ka futur në paralizë krejt sistemin. Skandalet e fundit të drejtësisë shqiptare duket se janë motivuar nga mungesa totale e kontrollit mbi gjyqtarët që kanë mbetur ende pa u kaluar në sitën e Vettingut. Më i fundit ka qenë edhe ai që vetë Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e ka denoncuar: lirimin me kusht që Gjykata e Korçës i ka dhënë Gerd Gjinararit, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Naim Zyberit në 1997. Gjonaj i kërkon KLGJ të nisë procedimin për gjyqtarin që e liroi si dhe ka pezulluar nga detyra drejtuesit e Burgut të Drenovës që i përgatitën atij dosjen e lirimit.
Nga ana tjetër, mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, ka bërë që maxhoranca socialiste të qeverisë me ligje speciale dhe të posaçme; të tilla si Ligji i Teatrit apo edhe një seri kontratash koncesionare, apo siç njihen ndryshe PPP (Partneritete-Publik-Privat). Këto ligje që anashkalojnë kuadrin ligjor ekzistues në fushat përkatëse, sikur Gjykata Kushtetuese të ishte në këmbë, në mos do të anuloheshin, të paktën do të ishin modifikuar. Në fakt, këto ligje speciale nisën pak më herët se para një viti, ose më mirë nisën kur Kushtetuesja ishte ende në grahmat e fundit. Përpara Ligjit për Teatrin, kishte edhe tre ligje të tilla të posaçme:
- Ligji nr. 41/2015, datë 16.04.2015 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/PPP, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërisë “China State Construction Company”
- Ligji nr. 77/2016, datë 22.07.2016 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike”;
- Ligji nr. 4/2018, datë 1.02.2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Cengiz Construction & Kaylon & kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aeroportit të Vlorës”.
Pas gjithë këtyre ligjeve të posaçme, ndërkombëtarët e vetëm që ngritën shqetësimin për PPT-të ishin ata të FMN-së dhe Bankës Botërore. Reagimi i vetëm i qeverisë shqiptare erdhi muajin e kaluar, kur u vendos që koncesionet do të pezulloheshin për disa vjet si praktikë pune. Në selitë diplomatike në Tiranë, prej 2015-ës deri tani askush nuk i kujtua të ngrinte alarmin kur Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese reshtën së funksionuari, megjithëse reforma në drejtësi është një proces i sponsorizuar fuqishëm prej ndërkombëtarëve
I parë i zhveshur nga qëndrimet politike të ditës, vendimi i opozitës për të braktisur Parlamentin ku ajo thotë se nuk i dëgjohej zëri dhe nuk është marrë parasysh asnjë propozim i saj; duket i arsyetuar të paktën për pjesën e demokracisë funksionale të ndërlidhur me shtetin e së drejtës. Dhe, jo më kot në deklaratat e tyre për të djegur mandatet, depozituar në Kryesinë e Kuvendit më 21 shkurt 2019, ish-deputetët demokratë dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim shkruanin se vendi është në “gjendjen e emergjencës kombëtare” për shkak të “asgjësimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës”, “eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë”, dhe “shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve duke përfshirë të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës”.

Ndaj, të paktën për pjesën e demokracisë funksionale faktet në këto vitet e fundit duket se i japin të drejtë Bashës: “Without democracy, we can’t have stability”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë