Politike

Pse Alibeaj duhet të garojë për 61 bashkitë dhe të heqë dorë nga ftesat false për kandidatët e primareve

Enkelejd Alibeaj mblodhi të hënën në mbrëmje atë pjesë të deputetëve, që e mbështet (16 të tillë) dhe kryesinë e PD që ai drejton (13 veta).

Në mbledhjen që pritet të vijojë edhe ditët në vijim, deri sa të formalizohen kandidaturat, PD e Alibeajt do të jetë përballë dy dilemash; Të dalë me 61 kandidatë në të gjitha bashkitë, apo të lërë edhe “zona të lira” për ndonjë emër të primareve, një tezë kjo që nuk u mbështet nga shumica në mbledhjen e të hënës.

Alibeaj tha në parim se PD do të dalë me 61 kandidatë.

Paralelisht ka pasur ftesa publike nga Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Oriola Pampuri deri edhe Gazment Bardhi që PD-ja të dalë me kandidat të përbashkët.

Bardhi e hodhi topin nga Belind Këlliçi që garon për Tiranën, kur e solli si shembull në një intervistë televizive.

“A e kam zgjedhur unë Këlliçin si kandidat? Jo e ka zgjedhur zoti Berisha. Pretendimi i deritanishëm ka qenë që e kanë zgjedhur demokratët. Atëherë pse do duhet që zoti Këlliçi të strehohet nën partinë e Ilir Metës ndërkohë që ka në dispozicion partinë e tij”, tha Bardhi. Deri këtu me të drejtë, por Bardhi kish harruar atë detajin e rëndësishëm (që ka qejf ta përmendë kolegu i tij që e drejton Enkelejd Alibeaj) atë të koherencës në politikë.

Para se Bardhi të hidhte shashkën për kolegun e tij duhet të sillte ndërmend se Këlliçi nuk është më deputet i PD-së me firmë të Enkelejd Alibeajt.

As ai e askush tjetër nga deputetët në rresht me Alibeajn nuk kundërshtoi në rruge zyrtare një vendim që ishte marrë vetëm nga kryetari i grupit

Dhe janë 9 të tillë.

Ftesa e përsëritur e Bardhit apo e kujtdo tjetër në grupin që ka vendosur të bëjë betejën vetëm para Edi Ramës nuk ka më asnjë vlerë e aq më tepër koherencë politike.

Grupi i Alibeajt dhe ajo kryesi që pretendon se përfaqëson PD-në (jo vetëm me vulë) duhet të dalë me 61 emra kandidatësh në garë.

Sepse për fatin e keq të PD, opozitës dhe vendit në përgjithësi këto zgjedhje do të jenë luftë brenda llojit.

Ndaj dhe secili të masë forcat e veta në strukturë dhe elektorat, pa u fshehur me humbje të përbashkët (duke përdorur qoftë edhe emra të posaçëm të primareve), apo me beteja ligjore se kush e fiton partinë nëpër gjykata.

Partia në fund të fundit është frymë dhe jo vulë. Sado kjo e fundit të jetë favorizuese për në fletën e votimit

Lokalet janë betejë e humbur për ta, kundrejt kundërshtarit. Të paktën të ftillohen pas tyre dhe të kuptojnë se ku qendronjë brenda partisë.    

Pastaj të vijmë tek koherenca politike që deri më tash se ka mbajtur asnjëra prej palëve në PD... / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë