Politike

PS zyrtarizon kërkesën për ngritjen e Komisionit “Basha”

Një grup deputetësh të Partisë Socialiste kanë firmosur kërkesën e Taulant Ballës për ngritjen e një Komisioni Hetimor që do të hetojë të ashtuquajturat krime lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Shqipërisë gjatë periudhës 1998-2000.

Objekti i Komisionit Hetimor, sipas kërkesës së firmosur nga 18 deputetë socialistë është hetimi i rolit të "personave dhe institucioneve të Shqipërisë në hartimin e raportit të Dick Marty-t", mbi bazën e të cilit u ngrit edhe Gjykata Speciale e Kosovës, ku sot po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

"…ngritjen e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues mbi gjetjet dhe Konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet në Shqiperi mbi çështjet e raportit të anëtarit të APKIE Dick Marty mbi bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur, përfaqësues politikë shqiptarë, ose institucione publike shqiptare, nepërmjet veprimeve dhe mosveprimeve në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-n territorin e Republikës së Shqipërisë", thuhet në kërkesë.

Kjo kërkesë është dorëzuar në Konferencën e Kryetarëve, e cila e ka miratuar për votim në seancë plenare. Megjithatë, një datë për mbajtjen e seancës së radhës nuk ka, pasi Kuvendi është i paqartë në lidhje me vendimin e Komitetit Teknik që ndalon grumbullimin e më shumë se 10 personave në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Për këtë arsye, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i është drejtuar Komitetit për të marrë shpjegim nëse mbajtja e seancës plenare e shkel këtë urdhër apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë