Politike

PS: S’kemi shkelur asnjë marrëveshje! Presidenti? Do synojmë 84 votat edhe në raundin e katërt

Partia Socialiste rrëzoi akuzat e Enkelejd Alibeajt se ka shkelur marrëveshjen e arritur gjatë negociatave për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se dokumenti në tërësi i propozuar nga Alibeaj pas djegies së raundit të parë është rrëzuar dhe ajo që socialistët pranuan ishte fryma që deri në raundin e tretë, të jetë opozita ajo që të propozojë emra.

“Është rrëzuar ai propozim në tërësi. Kemi rënë dakord për një pjesë të frymës së tij dhe u kemi thënë që në dy raunde të propozojnë ata. Ne nuk do të propozojmë emra deri në orën 16:00 të së dielës”, tha Balla.

Balla deklaroi se PS nuk ka marrë asnjë propozim nga Partia Demokratike.

“Historia e propozimeve në ajër nuk ka pasur dhe s’ka efekte. Ne nuk kemi marrë asnjë propozim shkresor dhe nuk kemi pasur propozim që të shprehemi”, tha ai.

Alibeaj tha gjithashtu se PS nuk e ka shumicën legjitime për të zgjedhur Presidentin e ri. Balla iu përgjigj edhe këtij pretendimi.

“Shqiptarët na besuan 78 mandate, por që nuk u arritën për shkak të votave të pavlefshme. PS, jo vetëm që ka legjitimitetin dhe numrat, por do të punojmë që të arrijmë që të sigurojmë më shumë se sa votat që kemi në Kuvend nga shqiptarët. Historia që tjerr Alibeaj se PS nuk ka legjitimitein e ka shumë gabim. I kemi numrat dhe në momentin e diskutimit të Presidentit të zgjidhet me më shumë se 84 vota”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë