Politike

PS rrëzon Metën: Teatri do prishet. 75 vota kundër kumarit

Teatri Kombëtar do të shembet për t’u ndërtuar një i ri. Me 74 vota kundër Parlamenti rrëzoi dekretin e Presidentit për rishqyrtimin e ligjit për prishjen dhe ndërtimin e një Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë.

Socialistët e kanë shqyrtuar me urgjencë dekretin e Presidentit, ku brenda ditës, pas vendimit të komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, ai është futur menjëherë në seancë.

Përfshirja në votim në seancë të dekretit të kreut të shtetit u paraqit pas një kërkese të bërë nga ana e kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Me kthimin e ligjit të dytë nga Meta, mazhoranca nuk përdori sulme direkte me deklarata, por Balla do të shprehej  para disa ditësh se “do ta shqyrtonin me qetësi dhe dashuri argumentet e paraqitura në dekretin e presidentit Meta”.

Në këtë seancë ra në sy se ministri i Diasporës, Pandeli Majko nuk mori pjesë në votimin për dekretin e paraqitur nga ana e presidentit. Kjo është hera e tretë që socialisti Majko nuk pranon që të votojë për nismën e qeverisë, që parashikon prishjen e Teatrit dhe ndërtimin e një godine të re.

Pandeli Majko në seancën e sotme parlamentare

Në votimin e parë të ligjit të miratuar në korrik nga ana e Parlamenti, Majko nuk mori pjesë, duke u larguar nga seanca. Kjo u shoqërua edhe me një debat mes tij dhe kryeministrit Edi Rama në seancën e 5 korrikut. Kryeministri iu drejtua socialistit Majko se “mos më bëj numra, nëse do të votosh kundër ik në shtëpi”.

Pas kësaj Majko bëri sikur po fliste në telefon dhe iku nga seanca në momentin e votimit.

Ndërsa në media u përfol se ministri i Diasporës i kishte paraqitur dorëheqjen kryeministrit, por ky i fundit nuk e kishte pranuar atë.

Majko mbajti deri në fund këtë qëndrim, ku kësaj here edhe pse ishte i pranishëm në seancën parlamentare nuk preferoj të shtypte butonin për pro apo kundër dekretit.

Reagimi i Bashës

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha Teatri Kombëtar vazhdon të jetë vija e kuqe. Në një konferencë me gazetarët, Lulzim Basha tha se opozita do të jetë krah qytetarëve për të kundërshtuar prishjen e Teatrit. Ai tha se qeveria nuk ka përballë vetëm opozitën, por gjithë qytetarët.

“Unë, PD dhe opozita e bashkuar e konsiderojmë këtë ligj jo vetëm antikushtetues, por provën e qartë se si shteti, në këtë moment Parlamenti ka marrë krahun e grabitësve të pronës dhe kriminelëve që do pastrojnë paratë e pista të drogës.  Përballë nuk kanë vetëm opozitën, vetëm ata artistë artdashës, intelektualë, por përballë kanë dhe do të kenë të gjithë njerëzit.

Ky është momenti ku ka ardhur vendi. Kemi në një anë interesin publik e të artdashësve, nga ana tjetër kemi interesat kriminale që përfaqësohen nga oligarkët, nga bandat e trafikut të drogës dhe nga deputetët e Edi Ramës në Parlament, një pjesë e mirë e tyre të ardhur me votat e kriminelëve dhe jo me votat e qytetarëve. Si ka mundësi që shteti me 4.2 miliard euro buxhet nuk paska para për Teatër dhe një biznesmen i vetëm i gjen këto para?!  Si ka mundësi për një person të vetëm të bëhet një ligj special me qëllim për të pastruar paratë që vijnë nga droga. Kjo është ajo që ne kemi thënë një aferë jo thjesht korruptive, por kriminale. Kështu e ka kapur për fyti shtetin, për të mbrojtur interesat, paratë dhe pushtetin e tij që e ka bashkëndarë me krimin. Sot ky është në pushtet vetëm për t'i shërbyer atyre në fazën e tretë për pastrimin e parave. Qëndrimi jonë është i qartë, ne do të kundërshtojmë me të gjitha format dhe mënyrat dhe padyshim në krah të qytetarëve dhe artistëve dhe padyshim Teatri është vija e kuqe”, deklaroi Basha në konferencën për shtyp e mbajtur para votimit nga Kuvendi për rrëzimin e  dekretit të Metës.

Dy dekretet për Teatrin

Presidenti Ilir Meta në dekretin e dytë, argumentonte se nga 9 kërkesa të paraqitura herën parë Parlamenti kishte plotësuar vetëm një, por edhe atë jo të plotë.

Tabela e votimit kundër në Parlament ndaj dekretit të Presidentit

“Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 37/2018, të miratuar nga Kuvendi më datë 20.09.2018, Presidenti i Republikës, ka arritur në konkluzionin se, ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi. Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje.

Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurrencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë”, thuhet në dekretin e kreut të shtetit.

Pas një beteje disa mujore, mes opozitës, shoqërisë civile dhe mazhorancës ligji për ndërtimin e Teatrit të ri hyri në fuqi. Me botimin në Fletoren Zyrtare do të nisë edhe zbatimi për krijimin e një bordi përzgjedhës së firmës fituese, duke propozuar një garë të hapur.

Vota kundër kumarit

Gjithashtu Kuvendi ka miratuar ligjin për mbylljen e lojërave të fatit deri në datë 31 dhjetor të këtij viti. Ligji për mbylljen e të gjitha lojërave të fatit u votua me 75 vota pro dhe asnjë kundër.

Pas këtij votimi, kryeparlamentari Gramoz Ruçi bëri të ditur se Parlamenti i ishte drejtuar zyrtarisht presidentit Ilir Meta që të jepte pëlqimin për hyrjen në fuqi në mënyrë të  menjëhershme të këtij ligji, por për shkak se kreu i shtetit ndodhej për vizitë jashtë Shqipërisë, nuk kishte marrë një përgjigje. Kështu ky ligj pritet të kalojë fazën normale, ku presidenti ka afat 21 ditë për t’u shprehur nëse do ta dekretojë apo ta kthejë për rishqyrtim.

Seanca e Parlamentit ku u votua ligji për mbylljen e pikave të basteve sportive

Në këtë seancë Erion Braçe tregoi përmbajtjen e mesazheve kërcënuese që ai dhe deputetët e tjerë të Komisionit të Ekonomisë kanë marrë këto ditë.

“Mesazhi standard: Ju merreni me ne, ne do të merremi me fëmijët tuaj”, deklaroi Braçe duke lexuar një nga mesazhet.

Sipas Edi Ramës, se ky vendim ka mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. “Ky vendim nuk është i PS-së për socialistët, por vendim që asnjë arsye, përveç marrëzisë, nuk mund ta mbante opozitën jashtë kësaj salle sot. Këtë vendim e mbështet mbi 70% e popullsisë dhe mbi 92% e grave. Nuk ka të majtë e të djathtë, shkon përtej çdo dallimi të politikës dhe debatit të përditshëm politik”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij iu përgjigj të gjithë atyre që e akuzojnë se lojërat e fatit po i ndalon për të hequr vëmendjen nga situata aktuale. Nga foltorja e Kuvendit, ai ironizoi opozitën, e cila nuk merr pjesë në Kuvend duke i krahasuar Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin me personazhet telenovelave "Ezeli" dhe "Skllavja Izaura".

“Një bast do ta fitonte PD, kush shpif më shumë në njësinë e kohës. S'do kishte gola, s'do kishte korren, s'do kishte penallti as në Egjipt as në Malajzi që do konkurronin golat, kornet e shpifjeve të PD. Vota në bllok e PS do të tregojë qartë se kush janë këta, që nuk janë. Këta që s'janë kush janë?! Këta që janë të angazhuar me mish dhe shpirt me gjitha atë mish dhe atë pak shpirt që i ka mbetur për të sakatuar këtë milet me shpifje nga mëngjesi deri në darkë. Krimi, krimi, krimi, droga, droga, droga, leku, leku, leku. Tre gjerat që i kanë të fiksuara në kokë sepse janë tre gjerat me të cilat janë marrë vetë ose nuk kanë arritur ti luftojnë kur ishin vetë.

Me e bukur që kam dëgjuar këto ditë ka qenë një shprehje: E bën Edi Rama këtë për të tërhequr vëmendjen. Pra gjithë kjo luftë frontale bashkë me goditjen e grupeve të krimit të organizuar janë të gjitha për të tërhequr vëmendjen.

Po nga duam ta tërheqim vëmendjen, se nga është vëmendja? Nga Babalja, na iku Babalja nga ekrani. Nuk po e ndjek më populli me interes telenovelën, në momentin kur po bëhej gati të dilte një aktor tjetër. Nga  Ezeli i PD, nga Izaura nga "Skllavja Izaura" në versionin Luli dhe Mona. Nga këto po e tërheqim vëmendjen dhe po merremi me gjëra që në fakt nuk janë ndonjë gjë e madhe”, deklaroi Rama.

Kryeministri Edi Rama duke folur sot në Parlament

Menjëherë pas votimit, kryeministri Edi Rama do të postonte në rrjetet sociale se “Kuvendi sapo miratoi me 100% të deputetëve të pranishëm NDALIMIN E BIXHOZiT (kazino elektronike dhe baste të çdo lloji off apo online) në 31 dhjetor. Fjalët mbrapsht shpifësve të çdo kanali e portali, ndërsa me aktorët e Kinoshqupit kemi dhe gjyqet se do paguajnë një më një atë”.

Qëndrimi i opozitës

Kryedemokrati Lulzim Basha në një konferencë për shtyp e cilësoi votimin për mbylljen e kazinove dhe pikave të basteve si një vepër të maxhorancës për të tërhequr vëmendjen ndaj situatës aktuale  kriminale, si dhe për të tërhequr vëmendjen opozitës dhe medias.

“Absolutisht asnjë veprim i kësaj maxhorance, aq më pak ato që janë të përsëritura, nuk do ta tërheqin vëmendjen e opozitës dhe unë ju ftoj që mos të tërheqin as vëmendjen e mediave dhe qytetarëve nga alarmi që është bërë publik nga vetë faktet e dala në dritë deri më sot nga Prokuroria që janë maja e ajsbergut. Dhe këto fakte dëshmojnë që në Shqipëri nuk ka më një shtet të qytetarëve por një shtet të krimit. Nuk ka më një Kuvend ku përfaqësohen interesat e qytetarëve, por ka një Kuvend ku mbrohen dhe përfaqësohen vetëm interesat e kriminelëve. Pak rëndësi ka se çfarë forme marrin. Pak rëndësi ka nëse bëjnë operacione propagandistike për t’i mbyllur sot e për t’i çelur nesër, se kjo ka ndodhur edhe katër vite më parë. Apo për ta çuar pronësinë nga një grup kriminal tek një grup tjetër kriminal, qoftë edhe me etiketën e monopolit shtetëror. Të gjitha këto janë krejtësisht të parëndësishme. Besueshmëria e Edi Ramës  për luftën kundër krimit është zero në një moment kur tashmë e kemi të faktuar nga vetë përgjimet e Prokurorisë, se ai është kryeministër dhe njerëzit e tij janë në qeveri për shkak të bashkëpunimit me krimin dhe jo për shkak të votës së qytetarëve”, deklaroi Basha.

Kryetari i PD-së në konferencën e sotme për shtyp dhënë në selinë e PD-së

Më tej ai theksoi se “sot tema kryesore për opozitën, që besoj është tema kryesore edhe për qytetarët dhe që duhet të jetë edhe tema kryesore e medias, është që falë punës kurajoze të disa prokurorëve, pavarësisht presioneve politike, është faktuar me prova zyrtare ajo që kemi thënë: Edi Rama dhe bandat e krimit të organizuar kanë bashkëpunuar për të zgjedhur një maxhorancë ilegjitime, me deputetë ilegjitimë dhe një qeveri ilegjitime. Një maxhorancë inekzistente që nuk reflekton votën e qytetarëve por bashkëveprimin e Edi Ramës dhe krimit të organizuar”.

Ndërsa një reagim pati dhe kryetari i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, i cili iu kundërpërgjigj akuzave për skllevër të lëshuar nga kryeministri Edi Rama.

“Kryeministri skllav i votave të qelbura dhe i jashtëqitjeve të krimit. Kakarisjet e gjelit të fikur të qeverisë, që këndon mbi kutërbimin e plehut te horrllëkut dhe ushqehet me jashtëqitjet e krimit nuk i dëgjon më kurrkush. Tani ai është provuar botërisht si një shëmtirë politike e prodhuar nga shëmtira elektorale. Shëmtira elektorale tani është përpara syve të të gjithëve me fakte pa fund,me emra e mbiemra. Kjo shëmtirë elektorale prodhoi bastardimin më të madh që Shqipëria ka parë në qeverisje. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen,do te jete e gjitha përballë kryeministrit skllav te krimit dhe sadakave të tij. Vota plehu nuk do te ketë më dhe as kryeministra, prostituta të plehut të krimit, gjithashtu nuk do të ketë më”, reagoi Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë