Politike

PS rrëzon dekretin “Për Noterinë”, Euralius kundër Presidentit

Dekreti i presidentit Ilir Meta për rishqyrtimin e ligjit “Për Noterinë” nuk do të merret në konsideratë nga ana e Partisë Socialiste. Maxhoranca e majtë refuzon të shqyrtojë dekretin e kreut të shtetit, duke mos i pranuar argumentet e paraqitura. Me 10 vota pro dhe 3 kundër është rrëzuar dekreti. Në këtë mbledhje përfaqësuesi i Presidencës, Bledar Dervishaj u shpreh se disa dispozita paraqesin probleme.

“Tre nene paraqesin të meta që duhet të rivlerësohen nga Kuvendi. Ka mos koherencë brenda ligjit. Nuk garantohen shtresat e pamundura për të marrë shërbimet e nevojshme. Në vlerësimin tonë, përmbajtja e nenit 61 për noterinë nuk është i qartë dhe në harmoni me disa nene të tjera të këtij ligji. Formulimi i këtij neni, përveçse nuk parashikon procedurë se si do të zbatohet ai në praktikë, nuk përmban asnjë parashikim të shprehur, që ligji t’ia njohë të drejtën ministrit të Drejtësisë, që në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterisë të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e tij, me qëllim qartësimin e të gjithë procedurës se si realizohet ky proces”, tha këshilltari i Presidencës në komision.

Më tej ai theksoi se problematik është konstatuar edhe neni 65, që në vlerësim të Presidentit të Republikës nuk garanton një trajtim të barabartë të noterëve përballë kostos, që duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre, si edhe, gjatë zbatimit në praktikë mund të krijojë një deformim në tregun e sigurimeve referuar veprimtarisë noteriale

Ndërsa, lidhur me nenin e tretë të identifikuar si problematik, këshilltari Dervishaj tha se në vlerësimin e Presidentit neni 76 është i formuluar i paplotë, nuk ofron sigurinë ligjore për mbrojtjen dhe mbështetjen e shtresave të pamundura të shoqërisë, apo të kategorive të veçanta për të përballuar tarifat dhe shpenzimet noteriale.

Por qëndrimi i tij hasi në kundërshtinë e deputetes së PS-së, Vasilika Hysi, e cila ishte edhe relatorja e ligjit. Sipas saj argumentet e Presidentit nuk qëndrojnë, pasi se ligjvënësi ka vlerësuar efektivitetin dhe vazhdimësinë e shërbimit noterial, si një vlerësim me vlerë të veçantë për shoqërinë dhe jo në çdo rast, por për dy raste: kur një transaksion ka filluar dhe për rastin e çeljes së dëshmisë testamentare.

“Shqetësimi që ngre presidenti se ligji nuk përcakton rregulla, se kush do ti detajojë, se çfarë do ndodhë me arkivën, se me çfarë vule e mjeti identifikimi do punojë noteri nuk qëndrojnë, sepse janë të përshkruara në mënyrë të detajuar në nenin 66, 67 dhe në nenin e fundit në dispozitat kalimtare, ku ngarkohet ministri i Drejtësisë të nxjerrë të gjitha aktet nënligjore brenda nëntë muajve për të rregulluar aspektet e veçanta që përmenden në çdo nen të këtij ligji”, theksoi Hysi.

Në emër të Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushaj, kryetare e Dhomës, u shpreh se ligji i parashikon të gjitha rastet e pezullimeve, parashikon rastet e administrimit të zyrës noteriale dhe gjithashtu shprehu mos dakordësinë me arsyetimin e bërë nga Presidenca.

Kundër u shpreh edhe shefja e misionit EURALIUS, Agnes Bernhard, e cila u tha projektligji është në përputhje me standardet evropiane dhe bën balancën e duhur proporcionale të interesave dhe elementëve të ndryshëm. “Këto zgjidhje për të cilat diskutojmë janë zgjidhje që përdoren në rastin e ndjekjes së një noteri nga prokuroria dhe janë zgjidhje që gjenden në mënyrë të ngjashme edhe në vende të tjera evropiane. Detyrimi për të pasur siguracion profesional dhe sigurim kolektiv është një model evropian dhe predispozita të tilla gjenden edhe në legjislacionin e vendeve të tjera përkatëse. Për ne, neni i cili merret me uljen e tarifave noteriale për grupe të caktuara në nevojë është i tillë që bën balancën e duhur ndërmjet aksesit në drejtësi të publikut dhe rolit të noterit si funksion publik i deleguar i ushtruar në mënyrë të pavarur”, - u shpreh Bernhard.

Diskutimi për dekretin për Noterinë nuk ka kaluar pa tensione në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve. Kryekomisioneri Manja ka thumbuar deputetët e LSI-së, duke i cilësuar si zëri i Presidentit në këtë strukturë parlamentare. “Këto janë muhabete 5 lekësash, Ulsi. Ligj është klientelist, sigurimin përvecse të detyrueshëm e ktheni në tender. Kthehet në ligj partiak me gjithë spiunet tuaj dhe ligj klientelist, do e përcaktoni ju kush e merr tenderin”, tha deputetja Silva Caka.

Ndërsa deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj u shpreh se mazhoranca po luan një teatër hipokrit. “Keni detyruar presidentin që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese t’i tërheqë veshin Parlamentit edhe në çështje të teknikes legjislative. Sistemi institucional ka rënë, pa Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë. Këtu duhet të ishte edhe ministri i Drejtësisë. Ky është teatër hipokrizie. E rëndësishme është që Presidenti ka kthyer një ligj dhe në çfarëdo lloj situate normale kjo duhet te ishte kambanë alarmi. Parlamenti do të duhet ta marrë seriozisht për shkak të interesit publik. Kjo është derexheja ku ka rënë institucionet. Çdo gjë është e paragjykuar. Po e ktheu Presidenti një ligj, vendos ai matanë (Rama)”, theksoi demokrati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë