Politike

PS paralajmëron rrëzimin e dekreteve të Metës dhe vettingut të PD-së

Parlamenti do të mblidhet në dy seanca të ndryshme këtë javë. Seanca e parë do të jetë ditën e enjte, ku në rend ditë do të jetë dekreti i Ilir Metës që riktheu për rishqyrtim buxhetin e shtetit dhe propozimi i tij për Vitore Tushën në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Të premten mbledhja pritet të jetë ekskluzive për propozimin e Partisë Demokratike për vetting në politikë.   

Për të trija këto çështje, mazhoranca ka sinjalizuar rrëzimin e tyre. Por, nëse për vettingun opozita mund të ketë ende një fije shprese se mund të kalojë në Kuvend, për dy dekretet e Presidentit Ilir Meta mazhoranca duket e bindur për t’i rrëzuar.

Këtë qëndrim e rikonfirmoi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Buxheti u kthye për rishqyrtim nga Presidenti me argumentin e reflektimit në të të kërkesave të studentëve.

“Është e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë që Presidenti i Republikës të kthejë buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit është votuar më 3 dhjetor. Kjo nuk ka të bëjë fare me çështjen e studentëve. Unë nuk shoh asnjë lloj lidhje mes këtyre të dyjave. Edhe vetë Presidenti e di këtë gjë”, deklaroi Balla.

Sa i takon propozimit po të Ilir Metës për të emëruar në krye të KLSH-së, Vitore Tushën, aktualisht anëtarja e vetme e asaj që ka mbetur nga Gjykata Kushtetuese, pas shkarkimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit i Bashkim Dedjas. Mazhoranca nuk ka vërejtje për kandidaturën e Metës, por thotë se Tusha do të ishte më e dobishme si pjesë e sistemit të drejtësisë.

“Për sa i përket çështjes së dekretit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, pozicioni ynë ka qenë i njëjtë që ditën e parë. E kemi vlerësuar personalitetin e kandidaturës, por vlerësojmë po ashtu shumë të rëndësishme, prezencën e saj në institucionin më të lartë të drejtësisë së re sikurse është KED-ja”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist komentoi edhe protestën e studentëve. Ai përsëriti qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama se e mbështet kauzën e tyre dhe bëri thirrje për dialog, ndërsa mbrojti ligjin për arsimin e lartë, që studentët kërkojnë anulimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë