Politike

PS nis takimet me bazën, qeveria zhvendoset në Korçë

Pas një periudhe stopimi, qeveria nis procesin e zhvillimit të mbledhjeve të saj nëpër qarqe, duke startuar edhe takimet me bazën me sloganin e fushatës “E gjithë vëmendja tek ju”.

Në këtë fundjavë të gjithë ministrat do të jenë në qarkun e Korçës, për të zhvilluar aktivitete të ndryshme.

Fillimisht rreth orës 15:30 pritet që kryeministri Edi Rama dhe ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri të inspektojnë punimet në tunelin panoramik në hyrje të Pogradecit, e pastaj të zhvendosen drejt Prespës.

Bashkë me minsitra e deputetë, i pari i qeverisë pritet të marrë pjesë në aktivitet në kuadër të projektit 100 fshatrat pjesë e së cilit është edhe fshati Zaroshkë, buzë liqenit.

Pas këtij aktiviteti, rreth orës 19:00 kryeministri shkon në Korçë aty ku ka parashikuar një tjetër aktivitet më të rinjtë, me temë “Partia Socialiste e hapur për ju”, ku pritet që kësaj force t'i shtohen anëtarë të rinj.

Në ditën e dytë të mbledhjes (29 shtator) është parashikuar një vizitë në fshatin Sovjan të Korçës. Kryeministri i shoqëruar nga ministrat Niko Peleshi e Ogerta Manastirliu do të vizitojnë një shtëpi të një familje të varfër që do të rindërtohet.

Pas kthimit në Korçë kryeminsitri Rama do të marrë pjesë në një tjetër event, ku si në çdo qark dëgjon problemet dhe shqetësimet e komunitetit. Takimi me qytetarët me temë “E gjithë vëmendja tek ju” do të zhvillohet tek Teatri Folës.

Ky takim pritet të shërbejë edhe si një vlerësim për punën e kryetarëve të bashkive. Konkretisht ky ballafaqim pritet të realizohet nga Korça, ku në “skaner” do të futet puna e kryebashkiakut të këtij qyteti, Sotiraq Filo.

Asambleja e PS-së ka vendosur që bëjë një proces vlerësimi të kryebashkiakëve, përpara se të vendosë nëse do t’i rikandiojë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Pas aktiviteteve të mëngjesit, rreth orës 12:30 minuta kryeministri do të mbledhë ministrat e deputetët tek Shtëpia e Flamurit, e cila do të pasohet me një deklaratë për shtyp ku do të njoftohen edhe vendimet e reja të qeverisë.

Pas drekës, Rama i shoqëruar edhe nga ministri Gjiknuri do të udhëtojnë drejt Maliqit për të inspektuar landfillin e ngritur aty.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë