Politike

PS nis llogaridhënien e kryebashkiakëve me Veliajn

Partia Socialiste nis fazën e dytë të llogaridhënies së kryebashkiakëve përballë elektoratit. Pas “përballjes” me ministrat e qeverisë  “Rama”, partia në pushtet po fokusohet në një ballafaqim të dytë, atë të kryebashkiakëve me votuesit, kryesisht të majtë .

Faza e dytë ka startuar me moton “E gjithë vëmendja për ju”. Asambleja Parlamentare e PS-së vendosi që të nisë llogaridhënie edhe për kryetarët e bashkive që drejtohen nga socialistët, me qëllim njohjen nga afër mbi punën e tyre në krye të bashkive.

Dhe fushata e llogaridhënies, e cilat duket si parapërgatitje për zgjedhjet e ardhshme, ka nisur pikërisht me Tiranën. Kryebashkiaku Erion Veliaj pati në takim pasditen e së hënës në Pazarin e Ri në ish-njësinë bashkiake numër tetë e njohur edhe si bastion i demokratëve në Tiranë.

Në këtë takim Veliaj shoqërohej nga deputetët e PS-së që mbulojnë këtë zonë administrative.

Kryebashkiaku Veliaj e cilësoi si shumë të drejtë vendimin për mbylljen e kazinove, duke deklaruar se ka pasur dhjetëra qindrave mesazhe në telefonin e tij, të cilët kanë dalë kundër vendimit të qeverisë.

“Më kanë thënë me mesazhe se nuk e ke votën time nëse mbyllen bastet edhe lojërat e fatit, pasi do të mbesin dhjetëra të papunë. Këtyre mesazheve unë ju them se nuk i dua votat e tuaja. Prandaj mbyllja e lojërave të fatit është iniciativë e mirë”, deklaroi Veliaj.

Gjithashtu ai bëri një bilanc të punës së kryer nga ana e bashkisë gjatë këtyre katër vite, duke deklaruar se “i ka mbajtur premtimet”.

Ndërsa vetë e cilësoi këtë takim edhe në kuadër të hartimit të buxhetit të ri 2019, edhe pse në majin e ardhshëm do të ketë zgjedhje lokale.

Erion Veliaj është rikonfirmuar nga kryesocialisti Edi Rama për të qenë kandidat i PS-së për bashkinë e Tiranës, edhe për një mandat dytë.

Edhe në këtë takim të parë të “llogaridhënies”, Veliaj deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme nuk ka garë me opozitën, por me veten, pasi nuk sheh të ketë ndonjë përballje reale me opozitën.

Ky proces llogaridhënie nisi me moton “E gjithë vëmendja për ju” ka si synim që të njihet me punën e kryebashkiakëve. Për këtë arsye në këto takime, marrin pjese dhe deputetët që mbulojnë njësitë administrative, si dhe të drejtuesve të strukturave politike të PS-së, pasi parashikohet që të mbahet një raport.

Ky raport pritet t’i paraqitet forumeve drejtuesve të PS-së, të cilët duhet të vendosin për kryebashkiakët që do të kalojë ose jo këtë testim në ballafaqimin me elektoratin, i cili kryesisht është i majtë, për t'i rikandiduar ose jo.

Procesi i llogaridhënies së kryebashkiakëve parashikohet që të përfundojë në muajin janar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë