Lajme

“PS na i mori zgjedhjet në tavolinë”, Bindja ankimon zgjedhjet

Bindja Demokratike si e vetmja forcë politike opozitare që paraqiti kandidatë për kryetar dhe që mbajti në këmbë garën në disa bashki do të ankimojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke mos njohur rezultatin.
Nisma për ankimimin e zgjedhjeve është bërë e ditur nga vetë kryetari i përkohshëm i Bindja Demokratike, Astrit Patozi, i cili jep edhe arsyet se pse po e ndërmerr një hap të tillë. “Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në të gjitha nivelet e trajtuan si ferrë nëpër këmbë BINDJEN DEMOKRATIKE, që nga dita e parë e fushatës, e deri sa u numërua vota e fundit. Ne nuk patëm mundësi të konkurronim në 61 bashkitë e vendit me këshilltarë, pasi në 20 prej tyre listat tona u rrëzuan arbitrarisht nga KQZ-JA dhe KZAZ-të socialiste me pretendimin aspak ligjor se duhet të ishin me numrin e plotë të këshilltarëve. Kjo do të thotë se në një të tretën e territorit, Partia Socialiste na e mori në tavolinë rezultatin, duke mos na lejuar të hynim në garë fare”, shprehet Patozi

Dokumenti i Bindja Demokratike drejtuar KQZ per te pasur komisionere, por qe nuk pranua

.
Një ndër arsyet se Patozi rendit është edhe fakti që i është refuzuar e drejta që të ketë komisionerë në zgjedhje, pasi Bindja pretendon se është parti parlamentare. “Refuzimi i pranisë sonë nëpër komisionet e votimit dhe në tavolinat e numërimit është një argument i mjaftueshëm që ne të kemi dyshime të arsyeshme se rezultati i këtyre zgjedhjeve është trukuar nga profesionistët e vjedhjes së votës në Shqipëri. Ky ankimim mbështetet edhe nga të dhëna të besueshme që na sjellin përfaqësuesit dhe vëzhguesit tanë nga disa bashki të vendit, ku shkeljet kanë qenë më flagrante. Ne kemi dyshime se në shumë qendra votimi janë hedhur fletë votimi për të rritur fiktivisht numrin e mbështetësve të qeverisë, në shumë zona ka pasur haptazi votim familjar, ndërsa në tavolinat e numërimit janë ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve në favor të Partisë Socialiste ose aleatëve të saj”, thekson Patozi.
Më tej ai shprehet se ky kontestim nuk vjen nga fakti i rezultatit të i Bindjes, që konsiderohet i mirë, por është një shërbim që kryhet për të nxjerrë dhe zbardhur të vërtetën e 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë