Politike

PS mbledh sërish Asamblenë më 16 mars. Rama për akuzat e Ahmetajt: Kush ka probleme me drejtësinë, mendon se ka forca të errëta pas!

Nga Gazeta ‘Si’- Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet sërish më 16 mars në Durrës.

Datën e bëri me dije kryeministri Edi Rama pas mbledhjes me dyer të mbyllura që u mbajt prej pesë orësh në Tiranë. Në një prononcim për mediat, Rama ka zbardhur detajet ku tha se u zhvilluan diskutime të frytshme dhe u bënë autokritika.

“Kemi bërë mbledhje me diskutime të shumta me shumë anëtarë. Ka qenë një mbledhje pune dhe në një mbledhje pune ka ballafaqime me fakte dhe opinione të mbledhura në një proces shumë kapilar. Ka shqetësime që vijnë nga organizata të ndryshme.

Ka pasur qasje vetëkritike nga të gjithë se bashku duke filluar nga unë. Mos i besoni shumë mënyrës si rrjedhin gjërat se duhen verifikuar në burim. Jam këtu me sekretarin e përgjithshëm për të informuar se jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje. Kemi miratuar planin e veprimit për periudhën 15 shkurt 15 mars kur fillojnë mbledhjet në të gjithë organizatën tonë politike. Më 16 mars mblidhemi në Durrës. Nga 15 prilli do të përgatitemi për zgjedhjet për delegatët e kongresit, kështu që jemi sipas parashikimeve dhe në funksion të organizimit që në zgjedhjet e ardhmshme të arrijmë fitoren më shembullore”, deklaroi Rama ndërsa shtoi se në zgjedhjet e 2025 parashikon se do të marrin më shumë mandate se asnjëherë tjetër.

Ai komentoi dhe vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken i cili do të vijë në Tiranë më 14 Shkurt.

“Në radhë të parë unë besoj që ka një domethënie të veçantë ardhja e tij në Tiranë për kontekstin në të cilin sot ndodhet Europa dhe bota, për kohën shumë të ngarkuar për një sekretar shteti, që fakti se e gjen të nevojshme dhe vendos në axhendën e tij të ndalet në kryeqytetin shqiptar si pikë referimi për rajonin, flet në mënyrë të posaçme për ku e kemi ngritur Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe se për çfarë përfaqëson Shqipëria në sytë e aleatëve tanë strategjikë lidhur me këtë rajon, ku me krenari e them, Shqipëria është forca e shembullit për të ndërtuar paqen, për të ndarë rrugët e bashkëpunimit, për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët dhe për t’u ndarë nga një e kaluar e mbushur me tragjedi, prapambetje, e mbushur me raste të pafundme të humbura për t’i lënë një vend më të mirë gjeneratave të tjerë”, tha Rama.

Më tej, sa i përket çështjes së ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Rama tha se nuk komenton çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, pasi i takon asaj t’i zgjidhë.

Pyetje: A duhet Rama të mbajë një qëndrim ndaj Ahmetajt për qytetarët?

Rama: Për qytetarët mos u shqetësoni sepse duhet të jeni shumë të sigurtë që leximin e opinionit të qytetarëve dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër. Prej shumë vitesh kemi instrument shkencorë përmes të cilët kuptojmë opionin qytetar. Për qytetarët mos u shqetësoni, ata janë shumë të qartë, madje më të qartë sesa ne, e se ju (gazetarët) po e po. Qytetarët dinë shumë mirë t'i ndajnë brockullat nga thelbi.

PS unë e të gjithë ne nuk komentojmë çështje që lidhen me drejtësinë. Cdokush që ka çështje me drejtësinë do të përballet me të. Ka një gjë që.. ata ndihen viktima të forcave të errëta apo forcave të tjera por nuk është fare për mua apo për ne të shpjegojmë këtë fenomen. Kush ka probleme me drejtësinë t'i zgjidhë me drejtësinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë