Partia Socialiste ka ndezur motorët për zgjedhjet e ardhshme për bashkitë e këshillat e saj, duke përcaktuar një strategji të re për synimin e zgjedhjeve të reja që priten të mbahen në qershor të 2019.
Asambleja Kombëtare e PS-së ka përcaktuar kritere të qarta për zgjedhjen e këshilltarëve socialistë, të cilët nga eksperienca e shkuar, nga zgjedhjet e tjera, kanë rezultuar me probleme, me rekorde kriminale, pothuajse me të gjitha partitë politike.
Socialistët kanë vendosur që të eliminojnë këto, në mënyrë që kandidatët për këshillat bashkiakë të mos jenë subjekt i ligjit “Për Dekriminalizimin”.
Edhe pse kjo është për kandidatët për këshilltarë, këto parimet pritet të zbatohen edhe për kandidatët për kryetar bashkie.
Dekriminalizimi ka qenë një nga armët kryesore të opozitës së djathtë, ku si pjesë e procesit të ndërmarrë janë larguar edhe kryetar bashkie, kujtojmë këtu Elis Roshin të Kavajës.
Por listat e anëtarëve të “parlamenteve” lokale ka qenë tejet problematike, pasi përfaqësuesit e saj kanë pasur të shkuar kriminale.
Kjo madje është parë edhe si një kosto e lartë politike për Partinë Socialiste.
“Çdo kandidaturë që përfshihet në projektin me kandidaturat për këshilltarë të bashkisë, duhet të nënshkruajë një deklaratë të miratuar nga Kryesia e PS-së në të cilën deklaron plotësimin e kushtit se nuk është shkarkuar nga asnjë detyrë për korrupsion, nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë me heqje lirie dhe angazhim se nëse zgjidhet do të zbatojë me korrektesë detyrën si këshilltarë, si dhe rregullat dhe vijën politike të partisë”, thuhet në pikën 7 të Udhëzimit të PS-së.
Dokumenti, jo me shumë mandate
Në Dokumentin e miratuar nga Asambleja Kombëtare e PS-së, theksohet se objektivi kryesor i saj për zgjedhjet e ardhshme lokale është fitore e kandidatëve të saj qoftë në drejtimin e bashkive dhe në “parlamentet” lokale. Ndërsa janë përcaktuar parimet për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë këshillave bashkiakë.
Parimet për përzgjedhjen e kandidatëve janë: Përparësi sipas meritës, më të aftët profesionalisht dhe ata me integritet të lartë publik; Përfaqësimi në shoqëri (komunitet) , në angazhimin politik dhe në territorin. Gjithashtu një ndër synimet e këtij dokumenti strategjik është edhe kufizimi në kohë i mandateve të përfaqësimit nga një njëjti person. Ndër kriteret kryesore është edhe shmangia e mbajtjes së disa funksioneve njëkohësisht nga i njëjti kandidat.
Strukturat e reja për zgjedhjet
Në Udhëzimin e dytë për zgjedhjet janë përcaktuar edhe afatet se kur do të krijohen strukturat e shtabeve elektorale.
Në të gjitha nivelet e strukturave të vendore të PS-së do të caktohen koordinatorë elektoralë, të organizimit dixhital, të emigracionit, të FGS dhe të FRES. Brenda 30 shtatorit të 2018 Këshilli Koordinues duhet të caktojë këto koordinatorë. Pas caktimit të koordinatorëve do të konstituohet Shtabi Elektoral i Qarkut në përbërje të të cilit janë anëtarët e Këshillit Koordinues të PS-së në qark dhe koordinatorët në nivel qarku. Edhe për këta koordinatorë kushti kryesor i zgjedhjes është se nuk duhet të ketë shkuar kriminale, apo të jetë nën hetim. Deri më 20 dhjetor është parashikuar që Këshilli Koordinues i partisë në qark dhe Asambletë Socialiste të Bashkive të analizojnë punën për ngritjen e strukturave elektorale brenda 20 dhjetorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.