Partia Socialiste ka përgjigjen e parë konkrete ndaj programit ekonomik të PD-së. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Anastas Angjeli, ka paralajmëruar ulje të nivelit të taksës progresive nga 23 në 17%, në një kohë kur PD-ja njoftoi zyrtarisht aplikimin e taksës së sheshtë 9%.
I pyetur në emisionin “Top Talk” se cfarë mendon për propozimin e PD-së për vendosjen e taksës së sheshtë, Angjeli u përgjigj: “Nëse ka një pikë që mund të debatosh dhe të ulesh me opozitën e të diskutosh është vetëm çështja e taksës së sheshtë, apo e taksës progresive dhe nuk është çështje e ditës së sotme. Pozicioni i PS është që do të jemi për tatim progresiv.
A është ky lloj tatimi progresiv me këto tarifa ai që është më i miri, këtu ka për të diskutuar dhe ne mund ta korrigjojmë vetveten. Ja si korrigjohet. Në dy mënyra me ato që dëgjoj me opozitën. Tarifat, shkalla tarifore është progresive, edhe kur është 13-15-23, është progresive edhe kur është 10-15-17”.
Angjeli nënvizoi rëndësinë për reflektim nga PS në tarifat e progresionit.
Por a është ky propozim thjesht një premtim fushate, apo diçka reale për katër vitet që do të vijnë nëse PS fiton mandatin e tretë?
“Në ndryshim nga partitë e opozitës, partia që është në pushtet, është më me këmbë në tokë sepse jeton në një realitet të caktuar ku ka aplikuar politika të caktuara dhe ka bërë korrigjime të caktuara.
Ne korrigjuam taksën mbi biznesin e vogël, e bëmë 0, korrigjuam TVSH, ulëm dhe dividentin në të njëjtën kohë.
Ne kemi reflektuar mbi bazën e atyre që është bërë deri tani dhe këtu do të reflektojmë përsëri. Filozofia e taksës progresive është pikërisht ajo, zbatimi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.