Politike

PS çel fushatën, Rama: Nuk jam hajdut! Në 30 qershor ikën hiena dhe fantazma

Kryeministri Edi Rama, në çeljen zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Socialiste, tha se do të nisin bashkë me qytetarët shqiptarë një martonë 30 ditore, e cila sipas tij do i sigurojë mazhorancës drejtimin në të githa bashkitë e vendit.

Në fjalën e tij në takimin me socialistët në Parkun Olimpik të Tiranës, Rama e përqëndroi vëmendjen te kundërshtarët politikë që kanë dalë prej muajsh në rrugë për të kërkuar largimin e tij.

Shefi i qeverisë që në nisje theksoi se zgjedhjet janë jo demokratike vetëm në rast se opozita pengohet të marrë pjesë në zgjedhje, jo në këtë rast, sipas tij, kur ata dogjën mandatet dhe po sulmojnë demokracinë.

Rama i kërcënoi ata që do tentojnë të pengojnë popullin të votojë më 30 qershor, duke thënë se do të pengohen dyfish para se të shkojnë deri te kutia e votimit.

“Sot nga kjo vendnisje e maratonës tonë të 30 qershorit, i them të gjithë shqiptarëve se zgjedhjet janë të gjithkujt që do të votojë, dhe kush mendon se do t’ju pengojë të votoni do të pengohet dy herë para se këta t’i bien me kokë gurit themelor të sistemit demokratik. Ata që dolën nga binarët e sistemit nuk mund të vendosin asgjë më shumë se veç vetes së tyre. Zgjedhjet pa opozitën kryesore, janë antidemokratike vetëm nëse ata pengohen të hyjnë, por kur ata vendosin vetë të mos hyjnë ato nuk janë aspak antidemokratike”, tha Rama.

Sipas tij, demokracia e Shqipërisë do të ishte rrumpallë, “nëse zgjedhjet bëhen sipas tekave të partive dhe sot shtyhen se do një parti, e nesër nëse do një parti tjetër”.

“Imagjinoni çdo të bëhej nesër, nëse do t’i hapnim rrugë moszhvillimit të zgjedhjeve kundër budallallëkut të djegies së mandative, nëse sot do fitonte politika e pengmarrës së atyre që dalin në rrugë për të përmbysur qeverinë dhe për të imponuar një qeveri sipas tekave të tyre për zgjedhje të parakohshme. Ata kanë frikë nga zgjedhjet prandaj bërtasin rrugëve dhe kërcënojnë”, deklaroi Rama.

Kryeministri sfidoi kundërshtarët e tij politik, të cilët e akuzojnë se është i korruptuar dhe kriminel. Ai pranoi se është pasionant dhe arrogant, por kurrë kriminel dhe hajdut.

“Unë mund të jem pasionant edhe arrogant po të doni, por kurrë nuk kam qenë materialist dhe kurrë s'kam për të qenë as kriminel, as hajdut si ata që më ngrenë dhe me ulin si të tillë, nga mëngjesi në darkë, nga viti në vit nga dekada në dekadë, - theksoi Rama. - Unë mund të bëj gjykime të gabuara, mund të marr dhe vendime të gabuara, por kurrë as kam bërë, as kam marrë dhe as kam bërë për të marrë asnjë vendim për gjëra të gabuara që i di përpara si të gabuara”.

Ai edhe një herë mohoi që është i korruptuar dhe se nuk ka punuar në dëm të vendit dhe popullit.

“Kurrë nuk e kam futur dhe nuk kam për ta futur dorën në xhepin e një njeriu të gjallë në këtë vend dhe në këtë botë. Kurrë nuk e kam hedhur dhe s'kam për ta hedhur firmën time për të fituar në rrugë të paligjshme apo për të dëmtuar vendin, njerëzit e këtij vendi dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Unë nuk kam si ti provoj fjalët e mia për veten time. Por gjithmonë edhe tani i kam sfiduar dhe i sfidoj, ata që thonë të kundërtën ta provojnë të kundërtën me fakte, jo me fjalë, me të vërteta jo me sajesa dhe fabrikime të ulëta”.

Për kreun e qeverisë, “kjo detyrë është mision, nuk është një karrige e lartë. Është pasion nuk është kalkulim praktik, është bindje atdhetare nuk është karrierë politike”.

Rama tha se Berisha është një plak i marrë, ndërkohë që Lulzim Bashën e ka quajtur si “pinokun e vogël” që ish-kryeministri ka vendosur në krye të PD-së.

“Kjo nuk është fushatë pa kundërshtarë, por betejë me kundërshtarët e zgjedhjeve. Një plak i marrë dhe i marrë fund që është mësuar që të luajë me zjarrin, që e ka djegur njëherë Shqipërinë, dhe erdhi në pushtet duke përfituar nga përçarja jonë dhe kujton se na bën shantazh me zjarrin e urrejtjes së tij dhe atë pinokun e vogël që ka në krye të partisë së tij. Ne nuk do të kërkojmë votën, por qytetarinë, përgjegjshmërinë kombëtare, përgjegjësia”.

Para se ta mbyllte takimin e sotëm elektoral, që shënoi çeljen e fushatës së PS për zgjedhjet lokale me thirrjen “Rroftë Shqipëria”, Edi Rama rezervoi dy fjalë për atë të mirë që sipas tij do t’i sjellë 30 qershori vendit.

“30 qershori do vendosë ikjen përfundimtare të politikës shqiptare përpara dhe lënien pas të hienave e fantazmave të së shkuarës. Këtu do jemi dhe do e shohim si pas 30 qershorit gjërat s’do jenë më njësoj si më parë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë