Art dhe Kulture

"Prova", tentativa për dialog e Adrian Pacit

Nga Luljeta Nelallari - Prova, prova, prova, prova… këto janë fjalët që kumbojnë në sfond sapo futesh në shtëpinë e arteve pamore, Galerinë Kombëtare.
Gjendesh përballë imazheve në lëvizje, imazheve të ndalura të serive fotografike, imazheve të kapura brenda kornizës së një pikture, instalacioneve dhe fytyrave të interpretuesve amatorë, një mozaiku që fsheh pas një rrugëtim dhe një kthim të bukur të artistit Adrian Paci. Nën këtë mozaik, artisti shkodran sjell punën më të re, ekspozitën “Prova”. Një vepër madhështore që rrok tema të kahershme dhe njëkohësisht aktuale si mërgimi, zhvendosja, ndarja, nostalgjia, ritet vendëse dhe fëmijëria. Në ambientet e Galerisë endesh nëpër piktura, fotografi, video, fytyra amatore të përdorura mjeshtërisht nga artisti për të përshkruar konfliktin dhe për të vizualizuar dramën e një individi, por edhe dramën kolektive, duke kaluar nëpër kurthet e fatit dhe historisë.
Një koleksion autoportretesh apo siç e thotë vetë artisti “një ekspozitë polilinguistike” që vjen si një përpjekje, tundim, urgjencë për të ndërmarrë veprime. Një vend të rëndësishëm zë pesha e emigracionit e pikërisht fotografitë nga “Back Home” sjellin nostalgjinë dhe shpresën e emigrantëve.

"Back home"

Portretet familjare të të larguarve, duke pozuar përballë imazheve të pikturuara të shtëpive që kanë pasur në Shqipëri, krijojnë një moment dialogu dhe reflektimi. Një reflektim më të thellë të jep “Home to go”, ku artisti i përkulur po mban, me vështirësi, një çati me pllaka qeramike të mbështetur në shpinë, duke rrëfyer zhvendosjen fizike.

"Home to go"

Në ekspozitë nuk mungojnë as ritet vendëse të filmuara në vitet ’90, prej dasmave malësore, të cilat shpalosen përmes “The last gestures” (2010). Në video jepet momenti kur nusja del nga shtëpia, duke u përcjellë nga familjarët e saj.

Një realitet ndryshe vjen nga video “The column”. Videoja paraqet anijen e në të disa skulptorë kinezë që e copëtojnë gurin derisa i japin formën e një kolone.
Në katin e dytë të Galerisë, një moment i veçantë është dhe “Bukurshkrimi”, ku artisti sjell disa fletë prej fletores së klasës së parë, ku tregohen edhe përpjekjet e tij të para për të mësuar të shkruajë.
Nën zërat e shumëfishtë, të dëgjuar me zor, mbizotëron zëri më i guximshëm “prova, prova, prova, prova…”

"Prova"

Por, pse vjen ekspozita pikërisht me këtë titull? Artisti Adrian Paci rrëfen për Gazetën “Si” se ekspozita vjen si një tentativë për dialog, ku personazhet janë në provë të diçkaje.
“Ky titull vjen për dy motive, e para ka lidhje me faktin se unë ekspozoj për herë të parë në këtë ekspozitë një punë që ka titullin “Prova”, e cila ekspozohet në premierë botërore për herë të parë në Tiranë dhe ka këtë titull. E dyta ka të bëjë me faktin se një ekspozitë personale në një muze, në një Galeri Kombëtare si puna e kësaj shpeshherë konsiderohet si një moment celebrimi për artistin, një moment ku ti thua fjalën tënde të fundit. Unë e kam konceptuar që në fillim këtë ekspozitë si një tentativë për dialog, si një provë në njëfarë mënyre. Elementi tjetër është se në shumë punë të mia ka një moment ku personazhet inskenojnë diçka, provojnë diçka”, shprehet artisti Paci, ndërsa rrëfen që punët e tij realizohen në një marrëdhënie të ngushtë me realitetin.
“Punët e mia zhvillohen në marrëdhënie me realitetin, por nuk kërkojnë për ta përshkruar realitetin, por tentojnë për të marrë shkas nga elemente të realitetit për të shkuar në një dimension përtej, për t’i dhënë realitetit një tjetër mundësi, një tjetër imagjinatë, kjo është tentativë e përgjithshme. Pastaj nga pikëpamja e gjuhës shprehëse, unë jam formuar si piktor, por kam filluar të punoj me videon, kam filluar të punoj me fotografinë”, rrëfen piktori për Gazetën “Si”.
Në ekspozitën “Prova”, Paci thotë se mbizotërojnë teknika të ndryshme, pasi për të është e rëndësishme të eksplorosh përpara situatave dhe gjendjeve të caktuara.
“Në ekspozitë po ta shihni ka instalacione, ka piktura, ka fotografi, ka vizatim, ka mozaik. Në njëfarë mënyre nuk është një ekspozitë monolinguistike, pra nuk është një teknikë, e cila mbizotëron në gjithë ekspozitën. Sado që videoja ka një peshë më të madhe, janë prezente në ekspozitë edhe pikturat, edhe fotografitë, instalacionet e skupturat. Si qasje e përgjithshme, unë jam një artist, i cili qëndroj i vëmendshëm karshi eksperiencës jetësore dhe tentoj ta përkthej në shprehje artistike. Nga ana tjetër nga pikëpamja teknike tentoj të mos jem i kufizuar nga një teknikë e vetme, por të eksploroj sa herë kur jam përpara një situate, emocioni, gjendje, historie”, shprehet Paci.
Sa i përket artit në përgjithësi, artisti e cilëson pikësëpari një sfidë me veten dhe artistët sipas tij nuk kanë një sfidë të përbashkët.
“Artistët shqiptarë nuk kanë një sfidë të përbashkët, secili artist ka sfidat e veta, ka sfidat me vetveten, me gjuhën shprehëse, pastaj është sfida me realitetin, në Shqipëri nuk ka një skenë arti të mirëstrukturuar, nuk ka një sistem arti funksional. Është një lloj sfide sepse artistët mbarojnë shkollën dhe nuk gjejnë një terren që i mbështet si nga ana ekonomike, por edhe e diskursit artistik. Çdo artist sfidat i ndërton me vetveten, me ndjeshmëritë e veta, me memoriet e veta, me aspiratat e veta. Kjo është një punë sa individuale, aq edhe kolektive”, përfundon Paci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë