Drejtësia

Prova të reja për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, kërkohet ‘arrest shtëpie’ për 6 policë

Gazeta Si - Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 6 punonjës policie, lidhur me ngjarjen ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani në prill 2021.

Bëhet fjalë për efektivët, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.

Sipas prokurorisë, 6 efektivët e repartit “Shqiponja”, kanë pasur dijeni për makinat, të cilat kishin armë në Elbasan.

Mbi këto dyshime, u kërkua edhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për ta, të cilët pak muaj më parë u rikthyen në detyrë.

Avokatja e familjes së Xhuvanit, ka deklaruar se ka prova që 6 efektivët në fjalë kanë pasur dijeni për ekzistencën e furgonëve të SMV-së dhe faktin që i pandehuri Arbër Paplekaj ka qenë i armatosur.

“Sot prokuroria kërkoi kthimin e masës së arrestit në shtëpi për 6 policët e forcave Shqiponja. Rezulton se kanë pasur dijeni për ekzistencën e tre furgonave të Strukturës së Mbrojtjes së Votës dhe për faktin se i pandehur Arbër Paplekaj ka qenë i pajisur me armë zjarri”, deklaroi ajo.

Për vrasjen pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, në akuzë është ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Arbër Paplekaj, i cili me anë të disa shkresave kërkoi zhvendosjen e gjykimit në një gjykatë tjetër për pretendimin se në Elbasan çështja e tij është e paragjykuar.

Megjithatë të gjithë shkallët e gjyqësorit i thanë jo kërkesave të bëra prej tij. Kjo i hapi rrugë gjykimit të Paplekajt dhe në seancën e radhës do të pyeten dëshmitarët e parë të kërkuar nga Prokuroria.

Vrasja e Xhuvanit, një ish-zyrtar i LSI-së dhe më pas aktivist i PS, shkaktoi reagime të shumta dhe akuza të ndërsjella nga ana e politikës.

Partia Demokratike akuzoi socialistët që po blinin vota për të fituar zgjedhjet, ndërsa shumica akuzoi opozitën se kishte ngritur një grup të armatosur për ta përdorur para dhe gjatë zgjedhjeve për të frikësuar dhe shantazhuar votuesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë