Ka ndodhur

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, burg për Paplekajn, lirohen 10 të tjerët. Zbardhet dëshmia e ish-efektivit të RENEA-s

Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë "arrest në burg" për Arbër Paplekajn, autorin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, ndërsa për 10 të akuzuarit e tjerë, gjykata ka vendosur detyrim paraqitje.

Nën masa të rrepta sigurie, kanë mbërritur në Gjykatën e Elbasanit 11 personat e arrestuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit.

Paplekaj është  i dyshuari kryesor për vrasjen e 56-vjeçarit, ndërkohë që gjatë përplasjes u plagosën dhe 4 persona të tjerë, përfshirë dhe një oficere policie.

Ish-efektivi i RENEA-s, akuzohet për kryerjen e veprave penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim.

Në dëshminë e tij para grupit hetimor, Paplekaj ka deklaruar se ndihet i tronditur nga ngjarja. Ai thotë se është trajnuar për të mbrojtur jetë njerëzish, ndërsa thekson se është i tronditur nga humbja e jetës së një njeriu.

“Jam i tronditur nga ngjarja e ndodhur për shkak të humbjes së jetës së një personi. Nuk e kisha menduar se do të gjendesha në një situatë dhe rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt, për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së njerëzve, pavarësisht rrethanave ekstreme për mbrojtjen e vetes dhe personave më të cilët isha”, ka thënë Paplekaj, raporton ‘News24’.

Kliko mbi fotografi për të ndjekur zgjedhjet në Gazeta "Si"

Lidhur me këtë ngjarje, është shpallur në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “5 Maj” në Elbasan. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i PS-së për Elbasanin, Pjerin Xhuvani. Në këtë përplasje, mbeti e plagosur efektivja e policisë, Xhensila Sota dhe tre persona të tjerë.

Sipas policisë, përplasja me armë ndodhi për shkak të dyshimeve të shtabit elektoral të PD, se një makinë e shtabit të PS-së po shpërndante para në këmbim të votave.

Masat e përshkruara nga prokuroria:
Arbër Paplekaj, për tre akuza: vrasje, vrasje e mbetur në tentativë e punonjësve të policisë dhe heqje e lirisë me dhunë;
Arjan Hoxha, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Pavlo Vuksani, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

Emiljan Prenga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Juljan Mataj, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;

Erald Guga, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Erjon Demushi, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Taulant Ymeri, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Roland Xhepa, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Nuredin Kasma, akuzuar për heqje të lirisë me dhunë;
Eldjo Beko, arrestuar “në flagrancë”, akuzuar për pengim të hetimeve;


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë