Futboll

Prova për të marrë kreun dhe ndeshje delikate, Superiorja e gjithë në fushë

Superiorja kthehet të mërkurën (3 Mars) , kur do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 22-të. Në orën 13 janë planifikuar të luhen 3 ndeshje. Në “Selman Stermasi” bardheblutë sfidojnë Bylisin, një kundërshtarë më inferior në letër, por që në dy takimet e para të këtij sezoni nuk është mposhtur përballë bardhebluve.

Në të njëjtën orë Partizani sfidon Apoloninë në Fier, me fierakët që kanë nevojë emergjente për pikë për objektivin mbijetesë, ndërsa të kuqtë duan fitoren për të barazuar qoftë për pak orë Vllazninë kryesuese.  Ndeshja tjetër e orës 13:00 është ajo mes Skënderbeut dhe Kastriotit në Korçë. Sfida më Kastriotin duhet të jetë ajo e kthesës sa u përket rezultateve, në të kundërt, pra nëse krutanët marrin rezultat pozitiv në këtë transfertë, misioni mbijetesë do të bëhej shumë më i vështirë.

Dy ndeshjet e tjera do të luhen në 16:00. Bie në sy beteja në “Niko Dovana” mes Teutës dhe Vllaznisë, në një duel titulli, ku barazimi do t’i shkonte përshtat vetëm skuadrës shkodrane. Skuadra e Martinit me 37 pikë ka mundësinë të ngushtojë diferencën me shkodranët në vetëm një pikë. Durrsakët pasi barazuan me Kukësin, kërkojnë të kthehen tek suksesi, duke parë se kryesuesit nuk po kalojnë momentin e tyre më të mirë dhe shfaqën gjithë limitet e tyre kundër Tiranës.

Ndërkohë edhe ndeshja tjetër e kësaj ore është një betejë “titanësh”. Kukësi pret Laçin në “Elbasan Arena” në atë që mund të quhet një derbi. Nuk mund të konsiderohet aspak e lehtë transferta e Lacit, kur përballë të jetë Kukësi, që i tregoi dhëmbët kundër Teutës një javë më parë. Josa shpreson të ketë gjetur ekuilibrin mes një skuadre që shënon me rregullsi, por edhe pëson lehtësisht.

SUPERIORE JAVA E 22

Tirana-Bylis 13 : 00

Apolonia-Partizani 13 : 00

Skënderbeu-Kastrioti 13 : 00

Teuta-Vllaznia 16 : 00

Kukësi-Laçi 16 : 00


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë