Lajme

Pamje si në Rripin e Gazës – Gazi lotsjellës shpërndan protestën

Policia ka përdorur disa herë gaz lotësjellës për të shpërndarë mijëra protestues të opozitës, mbrëmjen e kësaj të marte, në skena të denja për përleshjet në Rripin e Gazës. Disa persona kanë marrë lëndime të lehta për shkak të shtypjes nga njëri-tjetri, në largim e sipër për t’i shpëtuar gazit lotësjellës. Shumë të tjerë kanë pasur nevojë për kujdes mjekësor për shkak të gazit të lëshuar nga forcat e rendit.

Pas hedhjes së gazit lotsjellës, për disa minuta protesta është shpërndarë dhe protestuesit janë larguar nga hyrja kryesore e Parlamentit, por më pas ata janë riafruar dhe një pjesë e tyre janë ulur në rrugë.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/390250588424315/

PD: Lëndë luftarake helmuese mbi protestuesit
Partia Demokratike reagoi ndaj hedhjes së gazit lotsjellës mbi protestuesit.
“Me urdhër të Edi Ramës sot është hedhur lëndë luftarake helmuese mbi qytetarët që po protestonin para parlamentit të kriminalizuar. Lënda helmuese ka bërë që nxënësit e Shkollës Profesionale Ekonomike (ish-pedagogjike) të lënë mësimin e të dalin jashtë pasi u mbytën. Një skenë e tmerrshme, fëmijë që s’marrin dot frymë që iknin në turma pa asnjë ndihmë. Kjo është një arsye më shumë, e mbi çdo arsye tjetër për të protestuar e për ta larguar një herë e mirë këtë kriminel që helmon edhe fëmijët”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Opozita i mblodhi që prej orës 16.30 protestuesit e saj përpara sallës së Parlamentit, ku brenda maxhoranca ka mbajtur seancën e radhës plenare. Protesta ka zagjatur për rreth tre orë, por që në minutat e para, ajo është shënuar nga një incident, kur disa protestues kanë penguar hyrjen e ministrit Blendi Klosi në Parlament, nga ana e Kalasë së Tiranës, ku Kuvendi ka një hyrje të pasme. Përreth Parlamentit ndërkohë ishin vendosur disa qindra forca policie.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2252699851638441/?epa=SEARCH_BOX

Basha, thirrje policisë: Arrestoni Ramën! Kryemadhi: Turp kush e mbron
Kreu demokrat Luzlim Basha, në fjalën e mbajtur në protestën para Parlamentit, bëri thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama. Ai iu drejtua forcave të policisë që të heqin kapelet dhe të arrestojnë Ramën.
“Arrestojeni, bëni detyrën tuaj. Arrestojeni para se ta bëjë populli”, deklaroi Basha.
Për liderin e opozitës, Policia duhet t'i nxjerrë ata me pranga në duar, në të kundërt ata do i arrestojë populli i bashkuar.
“Ne luftojmë për vlera europiane, për zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe jo për kapjen e drejtësisë për të mbrojtur, Vangjush Dakon e Saimir Tahirin. Do të dëgjohet zëri juaj deri sa ai të kthehet në ligjin e padiskutueshëm në Shqipëri.
Kjo është një betejë që do çlirojë vendin nga klika mafioze. Kjo betejë do çlirojë makthin e vogëlushëve teksa shohin prindërit që nuk u plotësojnë dot nevojat parësore.
Një thirrje për vëllezërit e motrat me uniformë. Ju qëndroni mes hajdutëve dhe popullit të dhunuar. Hiqini kapelet dhe arrestojini hajdutët siç e kërkon ligji. Arrestojini përpara se t’i arrestojë populli i bashkuar. Asnjë fasadë nuk pi më ujë, kupa është mbushur. Me Edi Ramën nuk do të ketë paqe. Do të vazhdojmë deri në largimin e klikës mashtruese që ka pushtuar vendin”, tha Basha.

Basha theksoi se beteja e nisur nga opozita do të çlirojë vendin nga krimi dhe korrupsioni.
“Sovrani është populli shqiptar dhe jo kriminelët. Kjo është një betejë që do të çlirojë vendin nga klika mafioze, duke çliruar zgjedhjet, duke çliruar vendin, do të çlirojë vogëlushët, teksa ndiejnë pamundësinë e prindërve për t’iu përgjigjur nevojave të tyre. Ky udhëtim do të çlirojë qytetarët dhe të gjithë socialistët e ndershëm”, tha Basha.
Pas krydemokratit, fjalën e ka marrë edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila i bëri thirrje protestuesve të jenë qendrestarë dhe të bëjnë rezistencë deri në largimin e kryeministrit Rama.
“Misioni i politikës shqiptare është që të largojmë këtë fenomen dhe ky është Edi Rama. Ne zgjodhëm të dalim në shesh, të mos qëndrojmë në shtëpi, për të treguar se Rama është vetëm, – tha ajo. – Edhe pse ka disa deputetë në krah, gjithë të tjerat i ka kundër. Nuk ka burrë e grua në atë sallë Parlamenti që ta mban këtë turp, që quhet Edi Rama”.

Aty rreth orës 18.30 protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë përballë hyrjes kryesore të Parlamentit. Kordonit policor fillimisht ka tentuar t’i afrohet edhe kryedemokrati Basha. Për të ndaluar mësymjen e protestuesve, deputetë të ndryshëm të opozitës si Klevis Balliu apo Flamur Noka janë vënë mes policisë dhe protestuesve për të ndaluar këta të fundit. Pas tentativës për të çarë rrethimin policor, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë lëshuar edhe gaz lotësjellës, ndërkohë që nga megafoni u bëhej thirrje protestuesve të tërhiqeshin.

Balla: Nuk ka pushtet në tavolinë. Do fitojmë edhe më 30 qershor!
Brenda në sallën e Parlamentit ndërkohë deputetë të maxhorancës kanë marrë fjalën një e nga një në foltore. Në fakt, ishte parashikuar një seancë e shkurtër parlamentare, por duket se maxhoranca ka dashur ta zgjasë pa fund atë. Thuajse të gjithë deputetët në sallë e kanë kërkuar fjalën. Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla ka dënuar dhunën e protestuesve të opozitës ndërkohë që në Kuvend vijonte seanca plenare. Balla ka akuzuar direkt për këtë situatë ish-kryeministrin Sali Berisha, për të cilin theksoi se “në 28 vite me radhë, Saliu e PD kanë qenë përgjegjës, për skemat piramidale dhe përplasjen civile në 1997, grushtin e shtetit në 1998, 4 të vrarët e pafajshëm në 21 janar, ndërsa Luli i shpëtoi akuzave për rrrugën e Kombit me raporte mjekësore”. Gjatë fjalës së tij në Parlament, deputeti socialist shtoi se dhuna është dënuar nga SHBA-BE, ndërkohë që I bëri thirrje Bashës se nuk do të ketë kurrë pushtet në tavolinë.

Taulant Balla

“Me djegien e mandateve, Basha krijoi një precedent të rrezikshëm, harrroje Lulzim, pushteti fitohet vetëm me votë, nuk është faji i shqiptarëve që t’i nuk votohesh prej tyre. Opozita nuk e kishte hallin e reformës zgjedhore te rekomandimet e Osbe-Odihr, por te Saliu, për ta mbrotjur nga reforma në drejtësi”.
Balla pohoi se protestat e dhunshme të opozitës, jaanë një përpjekje e opozitës për të sabotuar edhe çeljen e negociatave me BE. “Protestat e dhunshme të 16 shkurtit, apo dhe ato të sotmet, bashkë me vetë asgjësimin e PD-LSI, në prag të prezantimit të paketës së BE, sigurisht e dëmtojnë, minojnë e sabotojnë perspektivën europiane të Shqipërisë. Por ne jemi PS, jemi votuar për të mbushur ëndrrën e gjithë shqiptarëve. Jemi mësuar me papërgjegjshmërinë e 3 personave, Bersisha, Luli, Mona”.
Balla nënvizoi se mazhoranca nuk ka ndër mend ta lëshojë pushtetin pa votë deri në zgjedhjet e vitit 2021 dhe paralajmëroi: “Ne do t’i fitojmë edhe ato zgjedhje, se jemi besnikë ndaj shqiptarëve, siç i dhamë një leksion në 2017, do japim një leksion të ri edhe në 30 qershor. Kush ka dyshime që nuk ka zgjedhje, e ka shumë gabim. Dhe ne sot, jemi këtu për t’i thënë shqiptarëve se jemi modeli më i mirë”.

Rreth orës 19.45, brenda sallës së Parlamentit, maxhoranca kaloi për miratim strukturat organizative të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dy nga institucionet kyçe të reformës në drejtësi. Kuvendi i votoi këto projektligje me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim vetëm me votat e mazhorancës. Deputetët kanë votuar në unison dhe më pas kanë duatrokitur vendimin e tyre, ndërkohë që jashtë sallës së Parlamentit opozita protestonte mes tymit, flakës dhe gazit lotsjellës të lëshuar nga policia për të zmbrapsur manifestuesit. Kështu, në organin më të lartë qeverisës të akuzës numri i punonjësve do të jetë 65, megjithëse vetë KLP kishte kërkuar 75 vetë. Po ashtu edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor numri i personelit shkoi në 125 nga 144 që kishin kërkuar vetë krerët e këtij institucioni. Për vitin 2019, KLGJ dhe KLP kërkojnë në total rreth 490 milionë lekë. Paratë janë të ndara sipas zërave të shpenzimeve, ku peshën më të madhe e zënë pagat dhe sigurimet për punonjësit.
Në rendin e ditës gjithashtu janë miratuar edhe dy projektligjet për titujt e pronësisë, si dhe caktimi i një anëtari dhe kryetarit të bordit të ERE-s, si dhe të 3 anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit.

Pas përfundimit të seancës parlamentare, kryedemokrati Lulzim Basha u ka bërë thirrje protestuesve që të tërhiqeshin nga rrethimi i Parlamentit. Protestuesit janë mbledhur në fund përballë selisë së Partisë Demokratike, ku Basha ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në tubimin e sotëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë