Lajme

Protestë në 25 maj, Basha: Përballje me juntën ushtarake

Protesta kombëtare e radhës nga opozita do të mbahet të shtunën më 25 maj në orën 18:40. Ashtu siç ishte diskutuar paraditen e djeshme në mbledhjen e Lulzim Bashës me krerët e degëve të PD, është rënë dakord pasdite edhe në mbledhjen e Kryesisë në selinë blu, që protesta e radhës të mbahet në këtë datë.

Pas mbledhjes, Lulzim Basha tha se nuk ka asnjë tërheqje përballë asaj që ai e quan juntë shtetërore, duke paralajmëruar se qytetarët do të reagojnë.

Duke folur për kandidatët për kryetarë bashkish, Basha deklaroi se qytetarëve po u imponohen kriminelë, vrasës dhe përdhunues.

Dhe për këtë, tha se do të bëhet çmos për ta parandaluar një gjë të tillë. “Vendimi unanim është përballje me të gjitha mënyrat. Që nga ky moment ne jemi dhe do të jemi çdo ditë dhe çdo minutë të bashkuar si asnjëherë më parë në një përballje pa kthim, me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet derisa të diktojmë kthimin tek demokracia dhe zgjedhjet e ndershme. Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje do të jetë shërbëtor i krimit”, - u shpreh kryedemokrati.

Me një gjuhë më të ashpër se kurrë më parë, kreu i PD tha se Rama po shkon drejt krijimit të një “Junte Kriminale”, referuar edhe listës së PS për zgjedhjet e 30 qershorit.

“PD ka shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pas kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm, sot Shqipëria ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, i cili ka frikë nga zbardhja e dosjeve ku janë përfshirë kryeministri dhe banditët e Rilindjes për të vjedhur zgjedhjet në Dibër dhe në mbarë Shqipërinë. Kjo duket qartë në listën e kriminelëve dhe vrasësve që ka vendosur. Kupola e Rilindjes ka vendosur si kandidatë vrasës, përdhunues, kandidatë të zgjedhur nga Ymer Lala në Dibër, që ka caktuar dy kandidatët. Shikoni çfarë zgjedhjesh bëjnë. Ymer Lala cakton dy kandidatët. Edhe formalisht vendi është me gjendje civile të masakruar. Regjistri i adresave është i masakruar, edhe nga pikëpamja politike nuk ka zgjedhje. Votimi unanim i opozitës është përballje popullore me të gjitha format dhe mënyrat”, tha Basha.

Por sipas Bashës, me këtë “Juntë”, shefi i qeverisë jo vetëm do tentojë të asgjësojë zgjedhjet, por do asgjësojë shqiptarët në formatin e një “grushti shteti”.

Kreu i PD akuzoi edhe kandidatin e “Bindjes Demokratike” për Bashkinë e Kukësit, duke e cilësuar si një vrasës me pagesë.

“Le t’i marrim me radhë këta kandidatë dhe të shikojmë se kush janë. Terrori i juntës po ju bën t’i thoni trafikantëve të drogës, si biznesmeni “X”. Vrasësve me pagesë, si Abedin Uruçi… Sot kandidat i “Bashkimeve Profesionale të PS” si biznesmen”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë