Mjedis

Protestë kundër HEC-eve në Tiranë: Uji është jetë, mos na e merrni!

“Jo HEC-e në Shqipëri, por turizëm” ishte thirrja e njëzëshme e dhjetëra qytetarëve të ardhur nga vende të ndryshme të Shqipërisë si Dibra, Mati etj, të cilët preken nga ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumenj dhe kryesisht në Zona të Mbrojtura, raporton Gazeta “Si”.

E organizuar nga “Eco Albania”, organizatë mjedisore që prej pesë vitesh ngre zërin në mënyrë sistematike për mbrojtjen e lumenjve, dhe me pankarta të tilla si "Uji është jetë, mos na e merrni!", qytetarët vërejtën se qeveritë për interesa të tyre po shkatërrojnë mjedisin, natyrën dhe shëndetin e qytetarëve duke ngritur HEC-e vend e pavend, pa një studim fizibiliteti dhe pa pyetur grupet e interesit.

“Nëse ne do të shkojmë në Europë, duhet t'i çojmë vlera natyrore Europës. Vlerat natyrore janë një nga mesazhet, një nga krenaritë që ne duhet të dërgojmë në Europë. Lumenjtë që janë shkatërruar dhe ata që pritet të shkatërrohen e kanë zërin e tyre këtu duke kundërshtuar vendimet që merren poshtë tavolinave të politikanëve të korruptuar”, tha Olsi Nika, drejtues i "Eco Albania".

Kurse Ali Hoxha, kryetar i shoqatës për “Mbrojtjen e Pellgut të Drinit të Zi” kujtoi se “populli i Dibrës tre herë ka anuluar vendime për ndërtimin e HEC-eve të Skavicës, qeverisë Nano në 2005, Qeverisë Berisha në 2009, Qeverisë Rama në 2016-ën". "Panë forcën e popullit dhe u tërhoqën. Duke blerë disa hallexhinj, kanë falsifikuar firma e po na shkatërrojnë burimet e vogla si ai i Setës. Është ujë i pijshëm, kurativ. Zoti i ka nxjerrë ujërat mbi tokë, qeveria i gropos. Ndal Korrupsionit, të mbrojmë Atdheun”, tha Hoxha.

Qytetarët i bënë thirrje kryeministrit Edi Rama të anulojë vendimet për ndërtimin e Hidrocentraleve, sidomos për ata që janën planifikuar në Zona të Mbrojtura dhe në fshatra të pagëzuara si turistikë, për të mundësuar zhvillimin e vendit.

Më shumë se 500 hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen në lumenjtë shqiptarë duke prekur zonat e mbrojtura, natyrën e egër, burimet ujore dhe zonat e banuara.

Datat 6-16 korrik do të shoqërohen me protesta në të gjithë Ballkanin.

Siç vëren "Eco Albania", mijëra njerëz preken nga “cunami” i digave të planifikuara në Ballkan. Ata rrezikojnë të humbin shtëpitë e tyre, tokat bujqësore, ujin e pijshëm, furnizimin me ujë për vaditje dhe peizazhin e trashëguar prej brezash. Megjithë ndikimin e madh në jetën e tyre, komunitetet më të prekura nuk janë të informuar për projektet e hidrocentraleve të planifikuara në oborret e tyre, aq më pak të konsultuar.
Shumë prej tyre po luftojnë dhe janë të vendosur të mbrojnë lumin e tyre, me çdo kusht.
"Ne japim jetën, por jo lumin tonë", është postulati i qëndrimit të tyre ndaj situatës. Rreth dy muaj më parë, shkencëtarët nga Universiteti i Burimeve Natyrore në Vjenë, Austri dhe Universiteti Politeknik i Tiranës, kanë prezantuar në Tiranë gjetjet e studimit dyvjeçar të sedimenteve në Lumin Vjosa.

Studimi zbulon rreziqet e kostove të larta ekonomike dhe degradimin ekologjik nga projektet e planifikuara të HEC-eve Kalivaç dhe Poçem. Ndikime të pafavorshme e të dëmshme parashikohen edhe për bujqësinë dhe turizmin shqiptar.

Sipas gjetjeve të studimit, projektet e planifikuara të hidrocentraleve në Poçem dhe Kalivaç do të ndikonin në rrjedhën natyrore të sedimenteve që aktualisht transportohen në bregdet nga lumi Vjosë. Rezultatet e studimit vlerësojnë se rezervuarët do të mbushen brenda një periudhe maksimale prej 30-60 viteve. Për shkak të ritmeve të larta të transportit të sedimenteve të Vjosës, mostrat tregojnë një humbje vjetore të rezervuarit prej rreth 2% në rastin e Kalivaçit dhe më shumë se 2% në rastin e Poçemit. Kjo është më shumë se dyfishi i mesatares globale të humbjeve të akumuluara vjetore, gjë që redukton ndjeshëm prodhimin e energjisë duke filluar nga viti i parë i operimit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë