Politike

Protestë e zjarr para Bashkisë së Tiranës, hidhen tymuese e molotovë (foto, video)

Nga Gazeta Si - Opozita doli sërish sot në protestë para bashkisë së Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të bashkisë në dyshime për korrupsion.

Protesta e tretë e opozitës ka agravuar që në minutat e para, me protestuesit që kanë hedhur molotovë dhe flakadanë drejt derës së bashkisë.

Për disa minuta, dera e bashkisë ka qenë në flakë, ku është dashur ndërhyrja e policëve për të fikur flakët. Përveç molotivit dhe flakadanëve, protestuesit hodhën edhe bojë të zezë dhe mollë drejt Bashkisë.

Në protestë nuk kanë munguar as përplasjet me policinë.

Pasi këshilltarët bashkiakë kanë kërkuar të futen në bashki, qytetarët kanë tentuar të prishin kordonin e policisë duke shtyrë gardhin metalik dhe duke goditur policët, edhe pse është bërë thirrje nga vetë këshilltarët e opozitës që mos të përdoret dhunë ndaj policëve.

Me megafon Tedi Blushi, këshilltar bashkiak i Partisë së Lirisë sulmoi sërish SPAK, duke e akuzuar se po bashkëpunon me Erion Veliajn.

Belind Këlliçit, Koordinator politik i PD Rithemelimi në Tiranë deklaroi se po i jepte një njoftim SPAK-ut. “Në datë 25 prill, (Erion Veliaj) ky individ po planifikon të shkojë në Holandë, aty ku në fakt, është e regjistruar kompania mëmë e inceneratorit fantazmë të Tiranës, sepse ky individ, si pronar faktit i inceneratorit të Tiranës, ka lënë punë pa kryer që do t'i mbyllë më datë 25 prill.

Ku keni parë një institucion tjetër në botë, ku titullarët, nëpunësit publikë, janë të gjithë nga i pari te i fundit, biznesmenë?!

Ku keni parë një nëpunës publik që paguhet me 700 euro në muaj, të ketë kompani që vlejnë dhjetëra milionë euro?!

Me kë tallen këta? Kë përqeshin këta?!

Në këtë institucion, prapa këtyre mureve, fshihet një frikacak që ka frikë nga ju, nga qytetarët, po mbi të gjitha ka frikë nga drejtësia se ka kryer shumë krime", tha Këlliçi, duke shtuar se i jep fjalën të gjithë nëpunësve të ndershëm që "edhe para pak çastesh vijonin të na çonin denoncime, informacione, për korrupsionin që ndodh brenda, ne do t’i garantojmë anonimatin e plotë dhe sigurisht që do t’i respektojmë, por i garantojmë që të gjithë se banditët që strehohen në zyrat e bashkisë Tiranë me në krye pronarin faktik të inceneratorit Tiranë dhe të bandës 5D, Erion Veliaj, do të japin llogari dhe do të mbajnë përgjegjësi një më një para qytetarëve. Ka ardhur momenti që qytetarët të marrin në dorë fatet e tyre!”, tha Këlliçi.

Opozita dhe qytetarë kanë protestuar para bashkisë pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për abuzim me detyrën për dosjen ‘5D’.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë