Politike

Protesta para Bashkisë së Tiranës, SHBA dhe BE dënojnë dhunën e përdorur

Nga Gazeta Si - Ambasada e SHBA në Tiranë dhe delegacioni i BE kanë reaguar për protestën që mbajti sot PD e Rithemelimit para Bashkisë së kryeqytetit.

Përmes mesazheve në rrjetet sociale, ato dënojnë përplasjet, me argumentin se në demokraci nuk ka vend dhuna.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës”.

E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, shkruhet në reagimin e ambasadës, ndërsa shton se pavarësisht kësaj, “nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët”.

“Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”.

Me anë të një reagimi në X, edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar dhunën gjatë protestës.

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore', thuhet në reagimin e BE-së në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë