Politike

Protestat, skenar i PD-së apo kërkesë e linjës së ashpër brenda opozitës?

Largimi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj u cilësua nga opozita si një fitore e saj. Brenda një viti kryeministri Edi Rama u detyrua që të ndërronte dy ministra të Brendshëm, Saimir Tahirin dhe Fatmir Xhafajn, dy emra që opozita i ka sulmuar prej kohësh, duke i akuzuar të parin për lidhje me krimin e organizuar dhe me bandën e Habilajve, ndërsa të dytin për shkak të vëllait të tij, Agron Xhafaj, pasi e mbrojti për çështjen me drejtësinë italiane.

“Largimi i Fatmir Xhafës, të vetmit ministër të Brendshëm në Europë me vëllanë trafikant droge, është një hap i rëndësishëm në betejën e opozitës për të pastruar politikën nga krimi. Me Fatmir Xhafën krimi vuri nën kontroll të plotë policinë dhe prokurorinë. Por largimi i Xhafës është vetëm fillimi i shkërmoqjes së bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin. Beteja për çlirimin e politikës, ekonomisë dhe shoqërisë nga krimi do të vazhdojë deri në fitore. Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për njerëzit”, do të deklaronte kryedemokrati Basha në ditën e shkarkimit të ministrit të Brendshëm.

Kur pritej që opozita të zbutej në qëndrimin e saj pas këtij largimi të Xhafaj dhe të caktimit të një ministër me një profil jo të lartë politik si Sandër Lleshi, e shoqërohej edhe me hapin e rikthimit në Parlament, Partia Demokratike vijon të ketë të njëjtin qëndrim.

Basha pas kësaj lëvizjeje në kampin e majtë mblodhi grupin parlamentar të PD-së për të vendosur piketat mbi aksionin mbi ardhshëm politik të opozitës. Kryedemokrati Lulzim Basha i kërkoi deputetëve të partisë së tij që të përgatiten se shumë shpejt do të përballen me qeverinë, duke paralajmëruar dhe daljen e skandaleve të tjera.

Ndërsa në konferencën për shtyp, Basha iu shmang përgjigjes së pyetjes nëse PD-ja po përgatitet për protesta si një nga rrugët e përballjes me qeverinë.

“Nuk ka asnjë mister se përballja po zhvillohet dhe do të zhvillohet jo pa sukses. Ky është rasti i vetëm kur kemi një kryeministër i cili vazhdon të qëndrojë në detyrë, ndonëse janë larguar dy ministra të brendshëm njëri pas tjetrit, për shkak të aferave kriminale. Dhe ky është rezultat dhe meritë e qëndresës dhe përballjes sonë. Po mos të ishte për përballjen e opozitës, në momente të veçanta edhe krejt e vetme, sot Saimir Tahiri do të ishte një Ministër “i nderuar” i Brendshëm, apo jo? Siç i rrihte shpatullat pa fund Edi Rama”, deklaroi Basha më 30 tetor.

Por a ekziston ndonjë skenar konkret i opozitës për protesta apo kjo është një kërkesë që vjen nga linja e ashpër brenda PD-së?

Ideja e protestave madje deri në revolta nga opozita mbështet nga ish-kryeministri Sali Berisha, por se ky qëndrim duket se nuk po fiton një terren të fortë e bindës për kryedemokratin Basha.

I ftuar në Debatin në Channel One, Berisha deklaroi mbrëmë se opozita është duke u përgatitur për protesta.

“PD dhe opozita po përgatiten për një protestë. Do jetë një protestë e fuqishme, por kaq di. Opozita po përgatitet për protestë. PD nuk bojkoton zgjedhjet, por përmbys Ramën para zgjedhjeve”, u shpreh Berisha.

Lideri historik i PD tha se kjo qeveri mund të përmbyset vetëm me revoltë popullore, duke shtuar se vendimi i përket strukturave të partisë. “Opozita në shumëfish bën një punë më të madhe sesa unë. Unë jam një njeri sigurisht i përkushtuar në mbrojtje të interesit publik, kurse opozita në këtë periudhë ka bërë një transparencë të jashtëzakonshme. Jam i sigurt që opozita do t’u prijë qytetarëve shqiptarë në një revoltë popullore, në kohët që do të vijnë. Kjo përcaktohet nga lidershipi dhe jo unë”, tha më tej Berisha.

Ndërkaq Lëvizja Socialiste për Integrim duket si më e tërhequr në qëndrimet e saja, pas zhvillimeve më të fundit brenda mazhorancës. Qëndrimi i kësaj force politike është i ndërvarur më tepër nga aksioni politik i PD-së.

Këto dy deklarata të ndryshme të kryedemokratit Basha dhe të ish-kryeministrit Berisha flasin për një ndarje brenda dy linjave, asaj të protesta apo revolta dhe të një aksionin nëpërmjet forma të tjera siç janë bojkoti i Parlamentit, apo kërkesa e fundit që duan zgjedhje pa Ramën si kryeministër.

Skenari i protestave për momentin duket ende i largët, pasi opozita mund të shfrytëzonte rastin e largimit të Xhafajt, duke e përdorur si kartë të saj përballë qeverisë “Rama”, por që u la në heshtje. Gjithsesi ky vendim mund të kondicionet mbi atë  çfarë Basha ka deklaruar se priten të tjera skandale të publikohen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë