Politike

Protestat për Zvërnecin/ Rama: Po dëmtoni turizmin!

Nga Gazeta ‘Si’- Teksa theksoi sërish se resorti në Zvërnec do të ndërtohet patjetër, kryeministri Edi Rama tha sot se protestat kundër investimit në Tiranë dhe qytete të tjera, po dëmtojnë turizmin. Sipas kreut të qeverisë, për shkak të këtyre tubimeve, operatorët turistikë kanë njoftuar anulimet e para të rezervimeve të bëra nga turistët e huaj.

Sa i përket takimit që zhvilloi pak ditë më parë me banorët e Zvërnecit, mes tyre edhe pretendentë për toka që i janë drejtuar edhe gjykatës, Rama tha se ishte një bashkëbisedim shumë normal dhe qytetar që qartësoi disa pikëpyetje të ngritura nga zhvillimet e ditëve të fundit.

Takova banorët në Zvërnec dhe vlen shumë më shumë se manipulimi nga çorba e ditëve të fundit. Atje takova njerëz, që u masakruan nga flamengot, ndërkohë që ata janë njerëzit që jetojnë në atë zonë. Takova ata që e kanë interesin drejtpërdrejtë mbi vendin aty, për të drejtën e tyre që të zhvillohen. Dhe njëherë Izraeli është futur kot fare në këtë mes, ndërkohë që investitorët kryesorë janë nga Katari. Disa e kanë me presidentin amerikan, të cilin gjysmën e urrejnë dhe gjysmën e duan. Disa vende nuk e duan projektin, sepse janë konkurrentë. Ka lloj-lloj njerëzish në protestë, ka djem dhe vajza që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre. Por kjo turma normale kthehet në mijëra njerëz, mund të dëmtojë turizmin. Mbase mund të humbasim shumë turistë këtë vit. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë për ekonominë tonë”, u shpreh ai.

Rama vuri sërish në dyshim edhe sinqeritetin e protestës së ngritur kundër investimit, duke thënë se në mesin e saj dominojnë personazhe të njohur në rrjetet sociale që sipas tij shfrytëzojnë situatën për të gjeneruar like dhe klikime që më pas konvertohen në para për ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë