Bota

Protestat në Francë/ Të arrestuar 14-18 vjec, Macron thirrje prindërve: Mbani fëmijët në shtëpi

Për herë të dytë brenda pak ditësh, Presidenti Emmanuel Macron ka zbritur në katin e nëndheshëm të Place Beauvau, “shtëpia” e Ministrisë së Brendshme, për të drejtuar një takim të "celulës së krizës" dhe për të gjetur një rrugëdalje nga një situatë që po duket gjithnjë e më dramatike.

Macron denoncoi "shfrytëzimin e papranueshëm të vdekjes së një adoleshenti" dhe njoftoi "mjete shtesë" për të frenuar zjarret, plaçkitjet dhe dhunën që kanë shkatërruar qytetet franceze për tre netë.

Dje u shënua edhe viktima e parë: një njëzet vjeçar që ra nga çatia e një supermarketi në Petit-Quevilly, në Normandi.

Bilanci i natës së katërt të përplasjeve, me gati një mijë të arrestuar

Ministria e Brendshme mund të përdorë mjetet e blinduara, por në të njëjtën kohë Macron po u bën një apel “të gjithë prindërve të jenë të përgjegjshëm”, duke i ftuar ata të mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi. “Është e qartë se situata që po përjetojmë është rezultat i grupeve ndonjëherë të organizuara, të dhunshme dhe të pajisura, të cilat ne i dënojmë, që arrestojmë dhe që do të ndiqen penalisht, por edhe të shumë të rinjve. Një e treta e të arrestuarve mbrëmë ishin të rinj, ndonjëherë shumë të rinj”, thotë Macron.

Grupmosha më e përfaqësuar e protestave (dhe te arrestuar) eshtë nga 14 deri në 18 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë