Politike

Protestat, 30 qershori dhe standardet zgjedhore

Në Shqipëri sa herë që afrojnë zgjedhjet, partitë politike nisin procesin për ndryshimin e ligjit zgjedhor, duke krijuar një komision të posaçëm parlamentar për ndryshimin e Kodit. Një praktikë që ndiqet pothuajse këto dy dekada dhe se në këtë proces kanë qenë të përfshirë organizmat ndërkombëtare si OSBE dhe ODIHR, të cilët janë monitoruesit e përhershëm të zgjedhjeve lokale apo parlamentare në Shqipëri.

Në këtë reformë kanë dominuar marrëveshjet politike PS-PD, parti të cilët kanë pasur përherë fatet e proceseve zgjedhore, që shpeshherë janë shoqëruar me problematika dhe që kanë rënduar ndjeshëm pozitat e shtetit shqiptar sa i përket proceseve të integruese, ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme vazhdojnë të jenë kusht i faktorit ndërkombëtar. Secila palë në opozitë ka akuzuar shumicën qeverisëse për manipulim të zgjedhjeve.

Raporti i fundit i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 i paraqiti partive politike disa rekomandime me synimin ofrohen me synimin për të përmirësuar më tej zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe për të mbështetur përpjekjet për t’i sjellë ato plotësisht në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Me qëllim zbatimin e rekomandimeve të fundit të OSBE-së dhe ODHIR, Parlamenti ngriti komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, një strukturë që kishte si qëllim mendimin e Kodit Zgjedhor.

Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore

Por afati i këtij i komisioni përfundoi para se palët të hartojnë dhe miratojnë një draft konsensual për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Për t’i paraprirë këtij dështimi, PS depozitoi një draft për ndryshimin e ligjit zgjedhor me synimin për të arritur një konsensus politik me opozitën.
Drafti është depozituar më 18 dhjetor të 2018, por ftesa e mazhorancës është refuzuar nga opozita.

“Me paraqitjen e draftit të njëanshëm të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, PS në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore. Ky akt tregon qartë se i vetmi qëllim i PS është të sabotojë reformën zgjedhore. Parlamenti mund të votojë vetëm amendamente që miratohen nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Veprimi i sotëm i Partisë Socialiste ka si qëllim vetëm prishjen e urave të konsensusit për rregulla loje që pamundësojnë ripërtëritjen e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve që konstatoi raporti i OSBE-ODIHR në vitin 2017”, do të reagonte demokrati Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i komisionit të posaçëm të reformën.

Protestat dhe afatet e reformës
Ky vit ka nisur me vendimin e opozitës për të nisur protestat, duke i paraqitur kushtin për krijimin një qeveri të përkohshme me qëllimin realizmin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Vendimi për protestat, duket se do të zhvendosë çështjen e reformës zgjedhore. Demokratët ndërkohë kanë vendosur bojkotin e komisionit të posaçëm, edhe pse afati i punës së kësaj strukture iu shtua me një muaj, duke vendosur si bashkëkryetar të saj nga mazhoranca, Blerina Gjylametin.

Kur jemi 5 muaj përpara zgjedhjeve të 30 qershorit, PS nëpërmjet kryetarit të grupit të saj, Taulant Balla i bëri thirrje sërish opozitës që të vijë në Kuvend dhe të votojë amendamentet e Kodit Zgjedhor. “PD duhet një orë e më parë të vijë në Kuvendin e Shqipërisë, seanca më e parë është më 30 janar”, theksoi zyrtari i lartë socialist.

Nga ana tjetër përpjekje për të shtyrë opozitën drejt miratimin të një ligji zgjedhor, që kërkon një shumicë të cilësuar votash, po bëhen edhe nga ana e faktorit ndërkombëtar. Përpara shpalljes së sezonit të protestave, më 14 janar në selinë e PD-së ishin dy ambasadorët Soreca i BE-së dhe Bochardt. “Opozita i përket Parlamentit dhe kjo është një kërkese konstante që i bëjmë opozitës dhe ne shpresojmë që opozita të jetë në parlament, si në dhjetor. Objektivi, është të finalizohet puna e bërë në dokumentin, në propozimet e përbashkëta që përmbushin rekomandimet e OSBE-ODIHR”, pas takimit Soreca.

Dy ambasadorët e BE dhe OSBE duke dalë nga takimi me kryedemokratin Basha

E ndërsa kërkohet ndryshimi i Kodit Zgjedhor për të parandaluar shitblerjen e votës, presionin e mëtejshëm në administratë për votën, duke i kërcënuar me vendin e punës, përdorimin e fondeve publike apo financimin private të partive në fushatë, si dhe refuzimin e kandidatëve me të kaluar kriminale, të gjithë këto janë disa rekomandime të raportit të fundit OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet, Partia Demokratike akoma nuk ka plotësuar dy vendet vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që sipas ligjit i takojnë asaj. Në KQZ aktualisht vetëm kryekomisioneri Klement Zguri është përfaqësues i opozitës.

Nëse nuk arrihet të zgjidhen këto problematika, atëherë zgjedhjet lokale do të vazhdojnë të kenë të njëjtat mangësi.

Protestat e opozitës që u zhvilluan në 2017, ndikuan që zgjedhjet parlamentare të shtyheshin nga 18 qershori më 25 qershor. Kjo u realizua pas arritjes së marrëveshjes së 17 majit 2017, që u finalizua me jo me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por me amendimin e Ligjit për Partitë Politike, Ligjin për Median Audiovizive dhe Kodin Penal, si dhe me krijimin e një qeverie teknike.
Por ky pakt u cilësua si i dëmshëm nga organizmat ndërkombëtare.
“Megjithatë, marrëveshjes politike të 18 majit iu dha fuqia e ligjit në dëm të sundimit të ligjit. Të gjitha ndryshimet u votuan brenda një dite, në kundërshtim me procedurën ligjore të parashikuar në Kushtetutë. Në kundërshtim me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës, procesit i mungoi transparenca dhe konsultimi me aktorët përkatës, ndërsa miratimi i vonë i ndryshimeve krijoi vështirësi reale për zbatimin e aspekteve kyçe të administrimit të zgjedhjeve. Ndryshimet legjislative të minutës së fundit cenuan sigurinë juridike dhe përputhshmërinë e kuadrit ligjor, pasi disa prej dispozitave të reja nuk ishin në harmoni me Kodin Zgjedhor”, do të ishte konkluzioni i raportit final të OSBE-së dhe ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.
Pas dy vitesh duket i njëjti skenar, ku politika duket se do të gjejë një zgjidhje të momentin të fundit për zgjedhjet, por kjo do të ndikojë jo pak në arritjen e atyre standardeve të kërkuara nga faktori ndërkombëtar, i cili i sheh zgjedhjet e 30 qershorit edhe si një pjesë e plotësimit të kërkesave për çeljen e negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë