Lajme

Protesta, vendoset skela dhe 4 kamera sigurie tek Kryeministria

Dy ditë nga protesta e opozitës, në 16 mars, përpara kryeministrisë është vendosur skela e sigurisë. Po ashtu, për të vëzhguar protestuesit janë instaluar 4 kamera me shikim 360 gradë.

Ato janë pozicionuar dy me pamje nga godina e qeverisë, dhe dy nga Kuvendi. Përforcimi i skelës pranë hyrjes së Kryeministrisë ka nisur që prej mëngjesit, ndërsa ndryshe nga protestat e tjera është zgjeruar edhe perimetri rrethues me kangjella. Përveç këtyre masave, Policia e Shtetit ka instaluar dhe 4 kamera sigurie para godinës së Kryeministrisë, të cilat do të shërbejnë për identifikuar protestuesit me anë të zmadhimit.

Policia e Shtetit edhe më herët ka kryer investime në instalimin e kamerave para Parlamentit, në prag të protestës së 5 marsit.

Pamjet gjykata nuk i quajti të mjaftueshme për të mbajtur në qeli 8 qytetarët e ndaluar atë ditë pas tubimit të opozitës.

Protesta e opozitës është paralajmëruar të shtunën në orën 11:00, ndërsa parashikohet që Policia e Shtetit të angazhojë me qindra efektivë policie dhe agjentë civilë në terren për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë