Politike

Protesta tjetër e opozitës, policia nuk jep leje

Policia ka refuzuar lejen Partisë Demokratike për t’u tubuar në datën 5 mars para godinës së seancave plenare të Parlamentit. Përgjigja u është komunikuar demokratëve, që kishin dorëzuar me herët në Drejtorinë e Policisë së Tiranës kërkesën.

Policia e argumenton refuzimin e lejes nisur nga incidentet dhe dhuna që shoqëroi protestën e 26 shkurtit para Kuvendit.

“Nisur nga shkeljet ligjore të konstatura në tubimet e fundit të zhvilluara nga Partia Demokratike, dhuna fizike e përdorur ndaj anëtarëve të Qeverisë, deputetëve me qëllim pengimin e tyre që të futeshin në godinë, dhnuna dhe goditja e punonjësve të policisë dhe thirrjet e organizatorëve dhe tubuesve me përmbajtje dhune”, thuhet në komunikimin që Policia e Shtetit i ka dërguar Partisë Demokratike.

Selia Blu ka reaguar përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi. Ky i fundit i konsideron të paligjshme dhe sajesa të Policisë së Shtetit arsyetimet e dhëna për t’i refuzuar të drejtën e tubimit opozitës. Bardhi thotë se vendndodhja e protestës përcaktohet nga organizatorët dhe kjo është një e drejtë kushtetuese.

“Caktimi i vendit të tubimit është e drejtë kushtetuese e organizatorit dhe e drejtuesit të tubimit. Kjo është arsyeja se përse ligji parashikon njoftimin dhe jo kërkesën për leje në rastin e zhvillimit të një tubimi”, thotë ai në letrën drejtuar Policisë.

Nga ky komunikim kuptohet lehtësisht se Partia Demokratike nuk do të tërhiqet as nga organizimi i protestës dhe as nga vendndodhja e saj, pavarësisht refuzimit që i ka bërë Policia e Shtetit. Vetë uniformat blu janë të vetëdijshme për këtë dhe përreth godinës së Parlamentit kanë nisur përgatitjet për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e tubimit duke instaluar dhjetra kamera.

Kamerat janë vënë deri në zonën e trotuarit që ndan rrugën “George Bush” me lulishten e Kuvendit. Synimi është mbulimi i gjerë i zonës dhe kapja e pamjeve filmike për të identifikuar elementët, që sipas policisë, do të ushtrojnë dhe nxisin dhunën.

Në protestën e 26 shkurtit, mbështetësit e opozitës u përpoqën që fillimisht t’u ndalojnë hyrjen deputetëve të mazhorancës, ku nuk munguan përplasjet me Blendi Klosit dhe Paulin Stërkaj. Ky i fundit akuzoi drejtpërdrejtë Petrit Vasilin e LSI-së. “I ftoj që të mos u bëjnë thirrje protestuesve që të ushtrojnë dhunë ndaj deputetëve”, tha Stërkaj në dalje të punimeve të seancës ku u miratuan strukturat e buxheti i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë