Politike

“Protesta”, Tabaku: Ministria i hapi rrugë shtrenjtimit të dijes

Lidhur me protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit kundër tarifës së shkollimit dhe tarifave për kreditet e lëndëve të mbetura, ka reaguar edhe deputetja demokrate, Jorida Tabaku. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ajo e cilëson reformën në arsim si mëmë të gjithave të këqijave.

“Mëma e të këqijave sot është Reforma e Arsimit që prodhon ndër të tjera edhe rritje tarifash për studentët. Kjo Reformë qe ogurzezë për studentët dhe ndonëse opozita e kundërshtoi dhe replikoi ashpër me qeverinë sërishmi kokëfortësia dhe makutëria e mazhorancës fitoi. Dy probleme kishte reforma; së pari zhdukte autonominë e Universiteteve dhe së dyti krijonte të gjitha kushtet që qeveria të shtrenjtojë tarifat për studentët, duke shkatërruar kështu arsimin publik në shërbim të interesave klienteliste private.

Nën frymën e këtij ligji 8 muaj më parë kjo qeveri firmosi me VKM rritjen e tarifave për studentët. Ministria e Arsimit i hapi rrugë kështu shtrenjtimit të dijes, duke mos sjellë asgjë tek studentët. Ndërkohë që universitetet klienteliste përfitonin nga ligji në fjalë”, shkruan deputetja demokrate në “Facebook”.

Sipas saj, protesta e sotme ishte më se e ligjshme dhe e motivuar, pasi studentët janë gënjyer nga ministria dhe gjithë qeveria.    

“Protesta e studentëve është sot më se e motivuar dhe e ligjshme. Ato u gënjyen nga ministria dhe gjithë qeveria. Tarifat e rritura me VKM nuk do të përkthehen në më shumë investime apo faktorë plus për studentët dhe punën kërkimore, përkundrazi tarifat shtrenjtohen që qeveria të ketë më shumë të ardhura në xhep dhe me to të japë koncesione dhe PPP tek kompanitë oligarke.

Buxheti 2019 në fakt është një tjetër provë për politikën e zhvatjeve. Qeveria takson qytetarët që pushtetin t’ia japë oligarkëve që nuk janë vetëm se vetë qeveritarët”, përfundon deputetja Tabaku.

 

Më Shumë