Politike

Protesta, Rama: Policia do zbatojë ligjin. Kryemadhi: Janë frikësuar!

Kryeministri Rama ka deklaruar se ndihet indiferent nga protesta e opozitës, por thekson se i vjen keq që një grup njerëzish të dëshpëruar  bashkohen nga dëshpërimi i një force politike të dëshpëruar.

Ai tha se policia i ka të gjitha kapacitetet për të përballuar protestën e së shtunës dhe theksoi se gjithçka do të bëhet vetëm në zbatim të ligjit.

“Nuk është numri i njerëzve që dalin në rrugë, një njësi matëse për mbështetje apo për mos mbështetje politike. Dua të them që, jemi përpara një forcë të dëshpëruar njerëzisht që i bashkon dëshpërimi, e thonë e nuk i fitojnë dot zgjedhjet dhe duan forma të tjera, – shpjegon Rama në emisionin Real Story”. – Nuk jam i interesuar nëse do ketë dhunë apo jo. Policia i ka të gjitha kapacitet për të mbajtur këtë protestë. Protesta që në këtë periudhë që kemi qeverisur ne, nuk kanë pasur asnjë më shumë se  të gjitha administrata bashkiake, bashki të tëra që organizohen drejt Tiranës. 1200 veta paguan Bashkia Lezhë. Në fund të ditës, këto janë protesta që nuk shkojnë asgjëkund. A do reagojmë po pati dhunë? Qeveria nuk reagon, reagon Policia, ajo zbaton ligjin”.

Rama foli edhe për qëndrimin e presidentit Ilir Meta për çështjen e Unazës së Re, duke bërë edhe një krahasim me ish-presidentin Nishani.

“Nuk ka asnjë surprizë nga Meta, nuk e mbajti dot peshën e të qenit mbi palët. Tani është thjeshtë një parti e tretë në opozitë, – deklaroi Rama. – Faleminderit që ma bërë ketë pyetje, por e trajton sikur unë isha një njeri që zgjodha këmishën. Ne nuk mund të zgjidhnim dot një president më të mirë se ai në atë opozitë. Nuk e kam menduar që do ishte kaq i lehtë në raport me peshën e rëndë që ka ai institucion dhe ai rol. Rolin e të qenit babai i kombit. Roli të qenit shembulli mbi palët. Meta na bëri që të mendojmë se i kemi rëndë në qafë Bujar Nishanit, kur thoshim që nuk ka më keq se Nishani. Sot nuk kemi president kemi një partiak në zyrën e Presidenti. Është për të ardhur keq, se ka një eksperiencë dhe ka aftësitë për tu sjellë ndryshe”.

Kryemadhi: Protestojmë ku të duam. Këta i ka kapur frika!

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është e bindur se mazhorancën e ka kapur frika në prag të protestës së opozitës ditën e shtunë në sheshin “Skënderbej”.

Ajo tha se do të jetë një protestë paqësore, edhe pse nuk i dihet si mund të shkojnë gjërat, pasi gjithçka në dorë do ta ketë populli.  

 “Ne jemi me popullin. Kjo do të jetë protesta më paqësore, por edhe ajo më e forta, më qëndrestarja, më solidja sa i përket reagimit qytetar. Unë nuk e di reagimin qytetar si do të jetë. Ka diapazon deri në fund. Përplasje? I ka kapur frika, - pohoi Kryemadhi në emisionin “Opinion”. - Populli është viktima, përgjegjësi është Rama, ai është xhelati. Rama nuk është viktima. Rrethimi i kryeministrisë? Ne protestojmë nga të duam. Presim pjesëmarrje të madhe, pasi militantët e partisë më thonë se ka dëshirë të madhe nga shqiptarët për të qenë në protestë si kurrë më parë”.

Kryemadhi shtoi se protestë nuk do të jetë për të ikur një palë dhe për të ardhur në pushtet një tjetër. Sipas saj, do të jetë një manifestim për të varfrit, gjendjen ekonomike të shqiptarëve dhe rikthimin e buzëqeshjes në vend.

“Rama është vetëm. Protesta e ditës së shtunë është me emër ndryshe nga herët e tjera. Kjo protestë është e halleve të shqiptarëve, të rinjve që ikin, pensionistëve që u merren pensionet, bizneset e vogla të falimentuara, protesta e banorëve të unazës së re që po u merren shtëpitë, protesta e infermierëve, mjekëve, policëve që nuk paguhen. Humbja e shansit në qershor, do të jetë shkatërrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Moshapja e negociatave, futja e Maqedonisë Veriore para Shqipërisë do të jetë fatale për ne. Kemi shansin e fundit për të ecur drejt BE. Ndryshe nuk dihet ku do shkojmë”.

Kryetarja nënvizoi se hapja e negociatave krijon stabilitet për Shqipërinë. “Nuk kemi më kohë për të humbur. Nuk mund të jemi më skllevër të Edi Ramës. Nuk mund të bullizohemi nga një i çmendur si Edi Rama. Nuk mund ta mbajë më peng Shqipërinë, ta ndajë vendin”, - tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë