Rend dhe Ligj

Protesta, policia nis hetimet, Lleshaj: Super punë!

Largimi i protestuesve opozitarë nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nuk e ka hapur menjëherë këtë pjesë për këmbësorët apo automjetet. Menjëherë në terren kanë zbarkuar dhjetra hetues të Policisë së Shtetit, që kanë këqyrur me imtësi terrenin.

Mes shenjave të lëna pas nga protestuesit, policia shpreson që të sigurojë prova të tjera që t’ua bashkangjisë atyre filmike për të dokumentuar nxitësit, shkaktarët dhe autorët kryesorë të dhunës ndaj godinës së Kryeministrisë.

Këqyrja e vendngjarjes është një procedurë rutinë e Policisë së Shtetit dhe grupeve hetimore sa herë që dyshohet për një kundërvajtje penale, por në rastin e protestës së kësaj të shtune, kjo fazë ishte parashikuar më herët.

“Ishte hartuar plani para, gjatë dhe pas protestës. Kemi ndjekur këtë plan dhe grumbullimi i provave për të identifikuar shkaktarët kryesorë të dhunës është një prej fazave të këtij plani”, deklarojnë për gazetën “Si” burime nga Policia e Shtetit.

Burimet konfirmojnë se në bazë të sinjalizimeve të marra në ditët para protestës, Policia ka hartuar planin e vet në bashkëpunim me Gardën e Republikës, i njëjti plan që u zbatua në pesë orë tensione e përballje, ku skenë ishte dera kryesore e Kryeministrisë.

Në lidhje me zbatimin me përpikmëri të këtij plani, Policia dhe Garda kanë marrë përgëzimet e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Në bëmë dallimin e qartë mes atyre që protestave u përgjigjeshin me zjarrin e armëve luftarake dhe nesh, që armën tonë kemi durimin, e zjarrin tonë kemi përkushtimin për Shqipërinë europiane. Faleminderit nga zemra policisë shqiptare. Super punë sot! Mirënjohje!”, shkruan ministri përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kjo deklaratë e Sandër Lleshajt është një thumbim i drejtpërdrejtë ndaj opozitës. Ai nuk përmend 21 janarin, por referenca është e qartë dhe një fshikullim për mënyrën sesi u përballua ajo protestë e 8 viteve më parë dhe protesta e kësaj të shtune. Lleshaj vetë protagonist ka qenë vetëm në protestën e fundit, por jo Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Ish-kryetari dhe kryetari aktual i PD-së kanë qenë në anën tjetër të dyerve që u sulmuan këtë të shtunë, njëri si Kryeministër dhe tjetri si ministër i Brendshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë