Rend dhe Ligj

Protesta për transportin publik dhe HEC-et, policia procedon 17 organizatorët

Policia e Tiranës ka proceduar 17 persona, të identifikuar si organizatorë të dy tubimeve të djeshme në kryeqytet, për transportin publik dhe kundër HEC-eve, kjo e fundit e zhvilluar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

“Policia e Tiranës shpërndau dy tubime të paligjshme të zhvilluara ditën e djeshme në rrugën ‘Abdi Toptani’ dhe në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, si dhe procedoi 17 persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale ‘Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme’, ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik’ dhe ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, tubimet kanë qenë të paligjshme, ndërsa shton se gjatë protestës iu ka bërë disa herë thirrje protestuesve të shpërndaheshin, si dhe të ruanin distancën në kuadër të masave kundër koronavirusit.

Më pas, Policia ka shpërndarë protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 4 persona, si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 13 të tjerë, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 17 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë