Lajme

Protesta për mbylljen e muzikës, pronari i një lokali: Vjet ishim më të lirë

Rreth 90 pronarë lokalesh në Vlorë, kanë vendosur të mbyllin biznesin e tyre në shenjë proteste kundër orës policore për të fikur muzikën në lokale në orën 22:00.

Një prej tyre, Ervin Sota, thotë për mediat se sezonin e shkuar veror kanë qenë më të lirë, edhe pse rastet me Covid ishin më të larta.

Ai tregon edhe vendimin e marrë me kolegët për mbylljen e aktiviteteve të tyre një natë pas përplasjes me policinë.

"Mbrëmë ne vendosëm Himnin Kombëtar dhe ndodhi ajo situatë e pakëndshme me policinë e Shtetit dhe kemi vendosur bashkë që lokalet t'i mbajmë mbyllur në shenjë proteste. Vlora nuk është një qytet me orare mortore, por qytet turistik, ka bërë maksimumin për turizmin, ku biznesmenët sakrifikojnë dhe mundohen të kualifikojnë stafet e tyre. Ne kemi vendosur 24 orë ‘black-out’”.

Po ashtu Sota, akuzon policinë se i ka provokuar, ndërsa thekson se muzika nuk shkakton koronavirus.

“Hapur në Vlorë kanë mbetur vetëm disa biznese me administratorë nga Tirana. Vjet kishte më shumë raste COVID dhe ne ishim shumë më të lirë dhe nuk ishim kurrë të provokuar nga policia, - vazhdon ai. - Këtë vit ka provokime nga policia. Në Lungomare ka njerëz, ndërsa në biznese qenka e ndaluar të qëndrojë klienti në tavolinë. Muzika nuk sjell COVID, ne duam të punojmë brenda rregullave", - vijon biznesmeni nga Vlora.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë