Politike

Protesta në Kukës, Rama: Figurantë të PD. I mundim në zgjedhje

Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në qarkun e Kukësit, kur pritet të mbledhë dhe qeverinë. Takimet e para ai i ka zhvilluar me strukturat e Partisë Socialiste, në kuadër të fushatës së pranimeve të reja të anëtarëve pranë kësaj partie. Por në Has dhe në Kukës, Rama u prit me protesta të organizuar nga ana e simpatizantëve dhe anëtarëve të PD-së.

Në mbrëmjen e djeshme në Kukës, protestuesit hodhën kapsolla, tymuese dhe shashka në momentin kur kryeministri po hynte në Pallatin e Kulturës për të marrë pjesë në takimin me strukturat e PS-së.

Por kjo protestë e shoqëruar me thirrjet “Rama ik, Rama ik” nuk u la pa ironizuar nga kryesocalisti gjatë fjalës së tij, i cili i krahasoi protestuesit si grupi i kopshtit zoologjik.

Gepostet von Arif Rexhmati am Dienstag, 30. Oktober 2018

“Më vjen keq që një pjesë e atyre që kishin ardhur për të marrë pjesë në takim, për shkak të sallës ishin të detyruar të rrinin jashtë dhe të shikonin atë grupin zoologjik, që nuk kam asnjë arsye t’u kërkojë ndjesë. Sepse, besoj se ishte një situatë që duhet të ishte evituar, por tani koka e falur nuk besoj se pritet…”, tha Rama.

Më pas ai theksoi se “Për fat të keq kemi kundërshtarë që nuk na sfidojnë, por përpiqen të na godasin me mjete që s’janë mjete jo të politikës, por asnjë tradite shqiptare. Kanuni nuk e ka shpifjen mjet për të komunikuar apo bashkëjetuar me të tjerët. Shpifja nuk konsiderohet si një mënyrë komunikimi as në Kanun, as në Kushtetutë, as në ligj, mirëpo nga ana tjetër duhet t’i mirëkuptojnë, nuk ka mundim dot. Ky është problemi, është problem shumë i madh. Nuk na mundin dot, nuk dinë sesi mund të na mundin dhe i bien vetes, gjithë kohës, janë bërë si ata që thonë, ‘o tani më jep këtë që dua o do hidhem në erë bashkë me ty’. Por në fakt ajo që do ndodhur është se, do hidhen në erë vetë, se ne prapë këtu do jem”, tha Rama.

Nga protesta ne Has

Me protesta u prit edhe në Has. Ndërsa PD-ja e Kukësit pati një reagim ndaj Ramës, i cili i etiketoi protestuesit si grupi i kopshtit zoologjik.

“Si hajdut frikacak që është erdhi natën, mblodhi me detyrim gjithë administratën shtetërore në sallë se kishte frike të përballej me hallet e qytetarëve të thjeshtë. Nga aty , si një gorillë në kafaz, i ofendoi kuksianët se janë në kopshtin zoologjik. Turp për ata kuksianë në salle që e dëgjuan dhe nuk reaguan se luanët e lirë që ishin jashtë e treguan forcën e lirisë së tyre. Nuk e di për çfarë u foli majmuni në kafaz , atyre që i solli si delet në salle, për taksën në Rrugën e Kombi, për doganën e Morinit apo atë të Kalimashit, për koncensionet e HC-ve në zonat e mbrojtura, për shkatërrimin mjedisor nga shfrytëzimi i pyjeve apo për minierat dhe shfrytëzimin barbar të pasurive ujore dhe minerare, u foli për papunësinë, apo për ikjen masive të rinise,u foli për mungësen e investimeve publike apo për mos mbështetjen me subvencione të fermerëve?  Ai një gjë e di mirë, dhe jo vetëm ai, por edhe ata që Kukësin e përdorin vetëm për ta zhvatur se kuksianët i urrejnë të pabesët”, tha Arif Rexhmati, kryetari i PD-s së Kukësit.

Ndërsa avokat Spartak Ngjela e ka vlerësuar reagimin e kukësianëve, duke theksuar se ata e dëbuan kryeministrin nga qyteti i tyre.

“Bravo Kukësi. Kuksianët e dëbuan dje Edi Ramën nga Kukësi. Dhe kanë të drejtë. I treguan vendin një kryeministri që po fundos vendin në humnerën e varfërisë ekstreme. Po a do veprojnë kështu të gjitha qytetet që janë në zinë e varfërisë ekstreme sot në Shqipëri?”, shkruan Ngjela në Facebook.

Pas kësaj sërish sot Rama nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar ndaj protestës që ndodhi dhe deklaratave që erdhën nga opozita, të cilat siç duket i kanë lënë një shije të keqe.

“Më paskan dëbuar nga Kukësi 50 figurantë me tre kapsolla, mbledhur qorrazi për një xhirim të Kinoshqupit! Të fala nga Shishtaveci dhe kështu me kapsolla ngjyrë Rilindje, e dëbofshi qeverinë deri në qershor, kur edhe qielli i Kukësit do të marrë atë ngjyrë, si krejt Shqipëria”, shkruan Rama, duke sfiduar opozitën se qytetin verilindor bastion i demokratëve pas zgjedhjeve lokale do të jetë i PS-së.

Gjatë takimeve të zhvilluara Rama ka premtuar ndërtimin e një stadiumi të ri,si dhe nisjen e punimeve në shtator të aeroportit të Kukësit.

Këto premtime Rama i bëri sërish në takimin e sotëm në Shishtavec duke shtuar se sipas një studimi ky aeroport  parashikohet të ketë një lëvizje mesatare prej 300 mijë udhëtarësh në vit.

“Unë besoj shumë që në këtë zonë ne do të shohim modelet e para të zhvillimit të turizmit malor edhe për një arsye tjetër, sepse këtu në Kukës, besoj në fillim të vitit të ardhshëm do të nisë ndërtimi i aeroportit të Kukësit. Aeroporti ekzistues do të transformohet tërësisht në një aeroport të standardeve ndërkombëtare për fluturimet me çmime të ulëta dhe studimi që ne kemi bërë me ekspertë të huaj na ka inkurajuar shumë, edhe mua më ka entuziazmuar shumë sepse të gjitha analizat e bëra sipas metodave profesionale të parashikimit për suksesin e një biznesi tregojnë se aeroporti i Kukësit do të lëvizë në një mesatare prej 300 mijë udhëtarësh në vit”, tha Rama.

Rama duke folur në takimin me banorët e Shishtavecit

Madje nuk harroi dhe batutën që ishte bërë gjatë bisedës së tij me Safet Gjicin.  “Imagjinoni vetë se çdo të thotë 300 mijë njerëz të lëvizin përmes Kukësit për të fluturuar jashtë vendit apo për të ardhur këtu. Po flisnim me Safetin (Gjicin) për këtë dhe me të qeshur ai tha 300 mijë kafe më shumë në Kukës, për të thënë që aeroporti sjell rritje të konsumit, të investimeve dhe mbi të gjitha e bën shumë herë më të thjeshtë dhe shumë herë më të mundur”, theksoi kryeministri.

Më pas janë paraqitur projektet për zonën e Shishtavecit si pjesë e programit të investimit të 100 fshatrave.

 

Më Shumë