Ka ndodhur

Protesta kundër maskës te Kryeministria, procedohen 15 persona

15 protestues janë proceduar penalisht për protestën para Kryeministrisë ditën e djeshme kundër masës më të re të qeverisë për mbajtjen e maskës me detyrim edhe në rrugë.

Protesta u mbajt dje pasdite tek bulevardi ”Dëshmorët e Kombit”, teksa Policia ndërhyu dhe shoqëroi disa persona.

Nga protesta nuk ka pasur të arrestuar, por vetëm të proceduar.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, filloi procedimi penal ndaj 15 shtetas, pasi ditën e djeshme në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, kanë organizuar dhe protestuar në kundërshtim me masat anti-Covid. Gjithashtu në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse gjobë për 15 shtetasit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Qytetarët protestuan kundër mbajtjes së maskës me detyrim edhe në rrugë, me pretendimin se ajo nuk të mbron. 

Qytetarët protestues kanë hequr maskat e tyre dhe më pas i digjnin në një kazan në shenjë proteste.

Grumbullimi i tyre, i cili nuk lejohet sipas aktit normativ në fuqi që nga nisja e pandemisë, ka bërë që policia të bëjë disa herë thirrje për t’u larguar, thirrje që nuk janë dëgjuar nga qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë