Lajme

Protesta, Kryemadhi: Në 16 mars rrëzojmë sistemin e krimit

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka shpjeguar se djegia e mandateve parlamentare ka qenë një zgjedhje e detyrueshme dhe e pakthyeshme për opozitën.

Në një takim me strukturat e LSI-së në Tiranë, Kryemadhi falënderoi të gjithë ata deputetë të LSI-së, të cilët sipas saj nuk e tradhtuan idealin e vlerave dhe të demokracisë.

“LSI është e lirë, është e pa kapur në asnjë cep, vlerat për të cilat ne duhet të bënim katarsisin tonë, treguan edhe një herë se lista e deputetëve nuk ishte zgjedhja ime dhe të gjithë ata që nuk pranuan mandatin, janë krenaria e Monika Kryemadhi dhe e LSI-së, - tha ajo. - Për të gjithë ata që na thonë se duhet të jemi në Parlament, ju them se duke nisur që nga ligji për teatrin, për pronat, dividentin, apo amendamentet studentëve, heqja e drejtës fjalës sonë në Parlament, shkelja e Kushtetutës për zgjedhjen e kryeprokurores, më thoni në cilën gjykatë mund të ankohet opozita sot... Ka dy vjet që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese e të Lartë”.

Kryemadhi theksoi se shteti ka rënë dhe se opozita nuk mund të lejojë që “një kriminel e i çmendur të marrë peng Shqipërinë e të ardhmen. Ne s’mund t’i bëjmë thirrje njerëzve të dalin për politikë dhe ne kemi kusuret tona dhe do përgjigjemi deri në fund”.

Ajo ftoi të gjithë qytetarët shqiptarë që pa dallim bindjesh politike t’i bashkohen protestës së opozitës ditën e shtunë.

“Protesta e së shtunës do të jetë manifestimi më i madh ku do të dalin gjithë qytetarët pa dallim bindjesh. Se çfarë do ndodhë në 16 mars pak rëndësi ka, rëndësi ka që të gjithë shqiptarët të dalin në shesh, le t’i bllokojë rrugët, le të bllokojë edhe trenat, e autobusët, ne do dalim. Çdo qytetar do dalë për shtëpinë e tij për të përmbysur sistemin e krimit në këtë vend”.

Shëmbëlltyra e së keqes, sot i ka ikur frika, 16 marsi është dita e ringjalljes së shpresave, se shumë shpejt do shkojmë në zgjedhje të parakohshme, sepse do jenë zgjedhje që do përmbysin sistemin kriminal dhe do ndërtojnë sistemin e vlerave”, - shtoi kryetarja e LSI.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë