Politike

Protesta e radhës më 25 maj? Opozita: Zgjedhje në 30 qershor nuk ka!

Pas mbledhjes me aleatët, Basha ka zhvilluar një mbledhje edhe me kryetarët e degëve të PD-së në rrethe. Mësohet se është diskutuar data 25 maj për protestën kombëtare të radhës.
Por krydemokrati Basha do ta konsultojë datën me kryetarët e djathtë bashkiakë, ish-grupin parlamentar demokrat dhe Këshillin Kombëtar.

Ndërkohë, pas përfundimit të takimit me Bashën, aleatët e lanë zyrën e PD me bindjen se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, në një prononcim për mediat ka theksuar se zgjedhjet e 30 qershorit janë të rëna moralisht, por edhe me dokumente sepse nuk ka më shumë se 25 kandidatë përballë.

“Mesazhi kryesor i takimit ishte se zgjedhje më datë 30 nuk ka. Ky është mesazhi kryesor. Më shumë se 25 kandidatë nuk ka konkurrues. Kanë rënë që tani moralisht zgjedhjet. Do sajojnë kandidatë. Që sot po ju paralajmërojmë se ka filluar manipulimi zgjedhor. Kanë rënë dhe me letra. Nuk do lejojmë zgjedhje më datë 30 qershor me gjithë aksionin e mundshëm opozitar. Këtu moral më për zgjedhjet nuk ka”, deklaroi Shehi.
Sa i përket aksionit opozitar, ai tha se do të vijojnë protestat e tjera.
“Aksioni fatkeqësisht do të spostohet shumica në rrugë. Nuk do të heqim dorë nga takimi me ndërkombëtarët, as me rininë e median, por akti kryesor është protesta në rrugë. Duam zgjidhjen finale pozitive për Shqipërinë që të vijë dita të bëhen zgjedhje si në të gjithë botën. Ky qytet mund të prodhojë protesta përditë. Ne nuk bëjmë protestë për protestë, por se po shkelen rregullat e lojës në mënyrë të përsëritur”, tha ndër të tjera Shehi.

Deri tani opozita e bashkuar ka zhvilluar pesë protesta kombëtare dhe disa të tjera para parlamentit, ndërsa ka bllokuar dy herë edhe akset kryesore në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë