Lajme

Protesta e opozitës para Kuvendit, arrestohen 8 persona

Policia e Shtetit ka arrestuar 8 persona dhe 9 të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë për aktet e dhunës në protestën e sotme të opozitës përballë sheshit të Parlamentit ku po zhvillohej seanca plenare.

Sipas policisë, gjatë tubimit, pjesëmarrësit kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta e lëndë plasëse (gurë, shkopinj, fishëkzjarre etj.) punonjesit e Policisë, të cilët ishin me shërbim në ambientet përreth Kuvendit të Shqiperisë.

Policia ka analizuar pamjet filmike, raport-shërbimeve dhe provat e tjera të mbledhura gjatë protestës dhe ka arrestuar në flagrancë për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike", 8 persona:

- N.C., 36 vjeç, banues në Sukth, Durrës (i denuar më parë për vjedhje dhe drejtim mjeti pa leje drejtimi);

- A. M., 23 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për vjedhje);

- E. C., 33 vjeç, banues në Burrel;

- L.D., 37 vjeç, banues në Burrel (i dënuar më parë për vjedhje);

- A.P., 23 vjeç, banues në Tiranë;

- M. N., 31 vjeç, banues në Kamëz;

- L. B., 41 vjeç, banues në Gramsh;

- E.G. 36 vjeç, banues në Lezhë.

Policia bën të ditur se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale kapsolla, doreza, kapuç, maska,  pjesë metalike, flakadanë, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë