Lajme

Protesta e 16 shkurtit, lihen në burg 6 të arrestuar

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për 6 protestues, të cilët ishin të pranishëm në protestën e 16 shkurtit para Kryeministrisë.
Ndërkohë që gjykata ka caktuar për 7 qytetarët e tjerë masën e “arrestit të shtëpisë” .
Ndërsa për gjashtë protestues u vendos masa “detyrim paraqitje”.
Në masën e sigurisë “arrest në burg” është Florenc Hoxha, Resul Daci, Ilir Hamedani, Saimir Rexhepi, Agim Peposhi dhe Ferit Daukthi.
Masa e sigurisë “arrest shtëpie” është dhënë për Emanuel Nallbani, Naim Haxhiu, Andon Gjini, David Linati, Festim Bakitaku, Vedion Dine, Ndue Tuci.
Masa e sigurisë “detyrim paraqitje” është vendosur për Suzana Dimushi, Mitat Fieraku, Luftar Jakupi, Pellumb Gjetoshelna, Shpresa Lini, Hasan Jakupi.
Të arrestuarit dolën para gjyqtares Rexhina Mlika e cila dha vendimin për secilin prej tyre.

Ndërkohë edhe në gjykatë protestuesit e arrestuar kanë bërë thirrje kundër qeverisë Rama.

Në seancë i ka mbrojtur avokat Ivi Kaso, njëherësh përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, i cili tha se e gjitha ishte një proces politik.
“Florenc Hoxhën e arrestuan se mbështeti Bashën dhe s'ka asnjë provë qe ai ka prishur veprën e artit të shëmtuar dhe pa leje që Prokuroria e quan vepër artistike kërpudhën. Protestuesit s'kanë ushtruar dhunë por veprime simbolike kundër të keqes qe ju ka shkaktuar qeveria. Qeveria të arrestojë kriminelet që janë rrugëve me kobure e jo siç bën Drejtori i Policisë që shoqëron të kërkuarit u jep edhe kafe kur ata vendosin të vetëdorëzohen”, tha ndër të tjera Kaso.

Spaho: Nuk kanë kryer asnjë vepër të kundërligjshme
Pas përcaktimit të masës së sigurisë për 19 protestuesit ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho.
Ai u shpreh se në protestën e 16 shkurtit u prish vetëm kërpudha e kryeministrit Rama, ndërsa qytetarët shtoi Spaho nuk kryen asnjë vepër të kundërligjshme.
Kreu i grupit demokrat dënoi me ashpërsi shoqërimin e Florenc Hoxhës, i cili sipas tij, u tërhoq zvarrë nga Policia e Shtetit në sy të fëmijëve dhe të familjarëve.
“Të gjithë të pandehurit deklaruan se ishin në protestë dhe protestonin kundër qeverisë së Edi Ramës, në emër të tyre, të familjeve të tyre për një të ardhme më të mirë. Të gjitha veprimet e gjykatës motivoheshin politikisht. Asnjë fakt, asnjë provë për ato që i akuzojnë, gjoja prishje te pronës publike. Mosrespektim të forcave të rendit. Aty është prishur vetëm kërpudha e kryeministrit.
Në asnjë rast nuk pati konfrontim mes policisë dhe qytetarëve. I dënoj me force këto veprime të policisë dhe prokurorisë. FNSH me maska e tërhoqën hoqën zvarrë Florenc Hoxhën në sy të familjes dhe fëmijëve. Të pandehurit kërkuar të merrnin pjesë në protestën e ditës së enjte. I bëj thirrje qytetarëve të jenë edhe më shumë në protestë për ta rrëzuar Edi Ramën”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë