Politike

Ambasadorja gjermane: Çdo element dhune përbën vijën e kuqe

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz bën thirrje në prag të protestës së opozitës, që ajo të jetë “paqësore, pasi ҫdo element dhune përbën vijë të kuqe”. Thirrjet për shmangien e dhunës kanë karakterizuar qëndrimin e BE, trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare të pranishme në Tiranë që kanë vënë në dukje njëzëri të drejtën themelore të protestës në demokraci, por pa ushtruar asnjë akt dhune dhe shkatërrimi. Kështu raporton Deutche Welle në një artikull të saj në lidhje me protestën e sotme të opozitës.
Për të shmangur aktet e mundshme të dhunës në protestën e së shtunës që është paralajmëruar se do të fillojë në orën 18.00 dhe do të zhvillohet kur të ketë rënë mbrëmja, janë angazhuar rreth mbi 1000 efektivë të policisë së shtetit, të përqendruar në mbrojtje të godinës së Kryeministrisë, ku në 2 protestat e mëparshme protestuesit kryen akte dhune dhe shkatërrimi.
Opozita, shkruan DW, ka deklaruar se do të vijojë protestat e saj deri sa të bëjë të mundur largimin e kryeministrit Rama, krijimin e qeverisë kalimtare, zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Por ky projekt i opozitës nuk ka gjetur mbështetjen dhe mirëkuptimin e faktorit ndërkombëtar. Me një zë të vetëm faktori ndërkombëtar ka dënuar heqjen dorë nga opozita e mandateve të saj parlamentare, pas protestës së 16 shkurtit të kaluar, e ka konsideruar qeverinë dhe Parlamentin aktual legjitim, ka bërë thirrje për të gjetur zgjidhje dhe ulur në tryezën e bisedimeve me maxhorancën socialiste. Por opozita e kushtëzon dialogun me largimin e kryeministrit Rama, gjë që për palën tjetër është e papranueshme dhe jo në linjë me rregullat e proceseve demokratike.
Faktori ndërkombëtar i kërkon opozitës të rikthehet dhe të riangazhohet në procesin politik, duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë