Ka ndodhur

Prostitucion në qendra masazhi, arrestohet menaxheri, nën hetim 4 vajza

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion.

Gjatë një aksioni policor është arrestuar menaxheri i një qendre masazhi, 35-vjeçari F. H., i cili kishte përshtatur biznesin për shfrytëzim prostitucioni, ndërsa janë vënë nën hetim 4 shtetase.

“Ky shtetas, në cilësinë e menaxherit të qendrës të masazhit, rekrutonte femra nëpërmjet njoftimeve në gazetë, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronte ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se në vijim të veprimeve u proceduan penalisht edhe 4 shtetase të punësuara në këtë qendër, për veprën penale “Prostitucioni”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë vijojnë hetimet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë