Politike

Propozimi i PS: 15 vite burg për të infektuari që lënë karantinën

Shkelja e masave të karantinës mund të ndëshkohet deri në 15 vite burg. Deputetët socialistë kanë dorëzuar në Kuvend një draft për ndryshime në Kodin Penal, ku ashpërsohen penalitetet për të gjithë personat që shkelin rregullat e izolimit në raste pandemie.

Shkelja e urdhrit të karantinës, që jepet për persona që kanë rezultuar të infektuar, ose dyshohet se janë infektuar propozohet që të ndëshkohet me 10 vite burg. Ndërkohë, për ata që janë të infektuar dhe përmes shkeljeve të rregullave të izolimit infektojnë qytetarë të tjerë dënimi mund të shkojë deri në 15 vite burg.

Nisma është e një grupi deputetësh socialistë, të cilët propozojnë shtimin e dy neneve në Kodin Penal.

“Moszbatimi i urdhrit të karantinës apo shkelja e rregullave të karantinës nga personi mbartës, ose jo i sëmundjes infektive ngjitëse, përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë dhe me burgim deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin, ose jetën e qytetarëve dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra ka ardhur, ose ka mundësi të vijë vdekja e personit dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet”, thuhet në draft-propozim.

Dënimi përshkallëzohet me rritje për qytetarët përsëritës së shkeljeve, ndërsa propozohet gjobë e majme dhe deri gjashtë muaj burg për të gjithë ata që kundërshtojnë, apo nuk u binden masave të vendosura nga autoritetet gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme, ose fatkeqësive natyrore.

“Mosbindja ndaj rregullave, vendimeve dhe urdhrave të nxjerra nga organet kompetente shtetërore për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Po kjo vepër, e kryer në mënyrë të përsëritur dënohet me burgim nga tridhjetë ditë deri në një vit. Kur nga vepra është shkaktuar rrezikimi i jetës, ose vdekja e personit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, thuhet në draft.

Deputetët socialistë shpjegojnë se masat janë të nevojshme që vendi të përballet më mirë me epidemitë, duke marrë shtysë nga situata e shkaktuar nga koronavirusi. Në arsyetimin e tyre thuhet se ndëshkimet kaq të ashpra nuk janë shpikje shqiptare, por aplikohen edhe nga vende anëtare të Bashkimit Europian, duke sjellë si shembull Italinë.

Aktualisht, me aktin normativ të Qeverisë që kufizon lëvizjen e qytetarëve ndëshkimi më i rëndë që parashikohet është 7 mln lek të vjetra gjobë për ata persona që shkelin urdhrat e karantinimit, 100 mijë lek të vjetra gjobë për këmbësorët që shkelin oraret e lëvizjes dhe 200 mijë lek, deri në heqje patente dhe sekuestrim automjeti për ata që i shkelin oraret e kufizuara të qarkullimit me automjete.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë