Politike

Propozimi i PD për vettingun, Lu: Djalli fshihet tek detajet!

“Edhe nëse do të rrija këtu për 100 vjet nuk do t’i kuptoja kurrë politikanët shqiptarë. Por popullin shqiptar e kam kuptuar”. Me këtë fjali, Donald Lu mbylli intervistën e fundit të tij për mediat shqiptare, ku foli për peshqit e mëdhenj, vettingun në drejtësi, nismën e opozitës për vetting në politikë e shumë çështje të tjera.

Në një intervistë dhënë për Real Story në Vizion Plus, ambasadori amerikan në largim e quajti interesante propozimin e Partisë Demokratike për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin vettingun e politikanëve, por nuk e mbështet hapur atë. Lë të kuptohet se dyshon që pas kësaj nisme fshihen qëllime të tjera, ndoshta edhe pengimi i reformës në drejtësi, por për këtë ja lë në dorë klasës politike shqiptare që të diskutojë.

“Opozita ka vënë në tavolinë një propozim që e konsideroj interesant. Në Amerikë kemi shprehjen, “djalli qëndron tek hollësitë,” dhe po studiojmë hollësitë e propozimit të tyre tani dhe Kryeministri juaj Edi Rama ka thënë tashmë se ai dhe Partia Socialiste janë gati tani të fillojnë negociatat mbi bazën e propozimit të tyre. Le të shohim se çfarë janë në gjendje të arrijnë ato negociata.”, tha ai.

Për Donald Lu, ka një rrugë ekzistuese vettingu.

“Ka edhe një tjetër formë vettingu për politikanët në demokraci. Ju votoni çdo dy vjet dhe ky është një formë vettingu”, vijoi ai.

Lu shprehu besimin se klasën politike do ta pastrojë nga të korruptuar dhe politikanët e lidhur me krimin Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që të dyja organet të reja në kuadër të reformës në drejtësi, që shpeson se do të ngrihen në muajt  në vijim.

“Reforma në drejtësi ka dy faza, faza e parë është vettingu, e dyta është SPAK dhe BKH, që kanë dy qëllime, luftën ndaj krimit të organizuar dhe luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta. Të siguroj që do të vijë koha që politikanët e korruptuar do përballen me drejtësinë”, shtoi ambasadori amerikan në largim.

Ai theksoi se si SPAK, ashtu edhe BKH do të mbështeten fuqishëm me trajnime, logjistikë, por edhe me agjentë asistues nga FBI dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Në këtë intervistë, Lu iu rikthye çështjes “Tahiri” dhe duke folur për këtë çështje, pranoi tërthorazi se në procesin e vettingut ka patur presion politik.

“Me aq sa kemi parë deri më tani, unë dhe një pjesë e madhe e shqiptarëve mendojmë se Saimir Tahiri duhet të shkojë para gjykatës, ku të gjykohet nga një gjykatës që ka kaluar vettingun sipas provave dhe jo sipas presionit politik”, vijoi ai.

Ndan një qëndrim deri diku në linjat e opozitës sa i përket nevojës për kapjen e kokave të krimit të organizuar.

“Nuk është përfunduar kapja e kokave që mbollën kanabisin. Disa janë të mbrojtur nga politika dhe unë mund të them që përsa kohë ata nuk kapen, kokaina dhe heroina do të shtohen në Shqipëri nëse këta nuk kapen”, u shpreh ai.

Edhe në intervistën e fundit, Donald Lu shpërfilli akuzat se ka ndjekur një agjendë tjetër nga ajo e Uashingtonit në Tiranë dhe se është i lidhur me Sorosin.

“Asnjëherë nuk është ngritur ndonjë pikëpyetje serioze lidhur me mua në Uashington për shkak të këtyre artikujve. Ne e dime dhe ata e dinë që këto janë artikuj që vijnë nga lobistë të paguar të partive politike në Shtetet e Bashkuara”, thotë Lu. 

Ripërsëriti habinë me moskapjen e Klement Balilit dhe lirimin e Lulzim Berishës, ndërsa “zbuloi” edhe pse pretenca e prokurorisë në gjyqin ndaj Emiljano Shullazit shtyhet seancë pas seance.

“Jam i skandalizuar që ende nuk është kapur Klement Balilin. Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu. Jam i skandalizuar që Shullazi ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq”, u shpreh Lu.

Megjithatë, ambasadori amerikan mbetet optimist. Shpjegon se mes peshqëve të mëdhenj rendit Arbër Çekajn e Met Kananin, si dhe rendit një sërë aksionesh brenda dhe jashtë Shqipërisë që kanë çuar në pranga dhjetra persona për trafik drogë dhe krim të organizuar.

Donald Lu përjashtoi mundësinë që pasaardhjesa e tij, Kathleen Kavalec të ndjekë një linjë tjetër nga agjenda që ka ndjekur diplomacia amerikane në Tiranë, ndërsa u shpreh optimist se ajo do të kalojë në Senat brenda këtij muaji.

“Ajo do të vazhdojë agjendën, sepse është në interes të qeverisë së SHBA. Kathy do të sjellë energji dhe vendosmëri të re në punën e ambasadës së SHBA këtu”, u shpreh ai.

Ambasadori komentoi edhe çështjen e Teatrit, që e mori si shembull për të kritikuar qeverinë për koncesionet që ka dhënë pa garë.

“Shqiptarët duhett të kërkojnë një garë të hapur dhe të ndershme, që japin më pak kosto dhe rezultate me cilësi më të mirë për ta”, u përgjigj ai.

Për herë të parë apeloi për nevojën që opozita të jetë e bashkuar. Drejtimin e PD-së nga Lulzim Basha e vlerëson dhe komenton takimet e shpeshta me Sali Berishën. Ky i fundit ka qenë ndër zërat më kritikë të punës së ambasadorit amerikan në Tiranë. Por, Donald Lu thotë se largohet me përshtypjet më të mira për të.

“Sali Berisha është ish-President, ish-Kryeministër. Ai nuk është më kryetar i PD-së, por është një njeri me peshë në këtë parti”, thotë Lu.

Aq me peshë, sa Lu i faturon Berishës edhe bindjen e opozitës për të votuar paketën e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi.

“Sali Berisha ishte një mbështetës i fortë i reformës në drejtësi dhe gjyqësor dhe mund të them që ishte këmbëngulja e tij që PD e votoi atë”, u shpreh ambasadori amerikan.

Lu u pyet nga Sokol Balla për debatin e kufijve Kosovë-Serbi, ku ruajti qëndrimin e shprehur nga këshilltari i Donald Trump për sigurinë, John Bolton.

Në fund, Lu bën një betim.

“Kur të iki nga këtu, asnjëherë nuk do të ndjek lajmet. Lajmet në Shqipëri më japin dhimbje koke”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë