Lajme

Prokurorja e Përgjithshme largon nga drejtimi i Krimeve të Rënda, prokurorin e dosjes “Tahiri”

Kryeprokurorja Arta Marku ka larguar Besim Hajdarmatajn nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke e lënë prokuror të thjeshtë në organin e akuzës. Mësohet se në vend të tij, Arta Marku ka komanduar drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit, Donika Prela.

Prokurori Hajdarmataj po hetonte dosjen e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që akuzohet për trafik lëndesh narkotrike.

Zhvillimet vijnë një ditë pasi Krimet e Rënda thirrën dje për të dëshmuar shoferin e ish ministrit të Brendshëm, Tahiri dhe pas ngjarjes në Prokurorinë e Durrësit, ku u vodh korrieri e kësaj prokurorie.

Mësohet së korrierit të Prokurorisë Durrës iu vodh një dosje me materiale hetimore, por nuk dihet nëse dokumentacioni ishte sekret apo jo, megjithëse ky institucion ka mohuar që dosja të ketë patur materiale hetimore sekrete.

Pas shkarkimit të prokurorit Hajdarmataj, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga PD. Përmes një statusi në Facebook, nënkryetari i kësaj partie, Edi Paloka shkruan se cështja “u zgjidh”, pasi prokurori i Krimeve të rënda që gjashë muaj më parë kërkoi arrestimin e Tahirit sot, është shkarkuar.

"Gjithcka e paralajmëruar nga PD po vërtetohet pikë për pikë. Rama kapi prokurorinë pikërisht për të shpëtuar Tahirin dhe kokën e tij.

Vettingu nuk po përdoret për të pastruar drejtësinë, por si mjet presioni ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ky është fundi...” shkruan Paloka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë