Rend dhe Ligj

Prokurorja e Dibrës dhe prokurori i Tahirit në garë për KLP

Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve nga ku do të dalë emri i prokurorit që do të zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të zhvillohet më datë 4 tetor. Ky është urdhri që ka shpërndarë kryeprokurorja Arta Marku, që u kujton vartësve të saj se pjesëmarrja në këtë mbledhje është e detyrueshme.

“Përjashton nga ky detyrim prokurorët që për arsye të garantimit të shërbimit të gatishmërisë në prokurorinë përkatëse, ose për arsye të tjera objektive nuk mund të jenë të pranishëm”, thuhet në vendim.

Në garë për këtë post janë dy emra, Esmeralda Keshi dhe Vladimir Mara. Prokuroria e Përgjithshme përfundoi verifikimin ligjor të tyre dhe në relacion thuhet se që të dy kandidatët kanë plotësuar kushtet ligjore për të kandiduar si anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Njëri mes Keshit dhe Marës do të zëvendësojnë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë Gentian Osmanin, që u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Esmeralda Keshi është prokurore e Dibrës. Ajo u caktua nga KLP drejtuese e përkohshme e Prokurorisë së Dibrës, vendim që u pezullua pas shprehjes së interesit prej kësaj të fundit për të qenë pjesë e KLP.

Në Prokurorinë e Dibrës u transferua dosja e famshme 184 e përgjimeve nga zgjedhjet e 2016 për këtë bashki, pas shpalljes së mungesës së kompetencës nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Shorti për përcaktimin e prokurorit është përcaktuar që të hidhet brenda shtatorit, ndërkohë që Esmeralda Keshi nuk do të jetë pjesë për shkak të lidhjeve me njërin nga personat që del në përgjime.

Ndërkohë, Vladimir Mara është prokuror i Krimeve të Rënda dhe bën pjesë në grupin e prokurorëve që hetuan Saimir Tahirin në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku organi i akuzës kërkoi 12 vite burgim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë