Politike

Prokuroria nuk nis hetimin për Ramën, inatoset opozita

Prokuroria e Tiranës ka vendosur që të mos nisë procedim penal ndaj kryeministrit Edi Rama pas padisë së depozituar nga dy drejtuesit e grupit parlamentar të PD-së dhe të LSI-së, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili më 11 korrik.

Kallëzimi i përfaqësuesve të opozitës lidhej me çështjen Babalja 1, me audiopërgjimin e shtetasit Albert Veliu dhe Agron Xhafaj, ku kryeministri Edi Rama kishte deklaruar se e kishte kryer analizën e këtij audio përgjimi në laboratorët më serioz të botës dhe rezultoi se është një manipulim. Pikërisht për këtë opozita bëri kallëzim për mos depozitimin të kësaj prove që disponote Rama.

Pas hetimit të kryer, prokurori Alket Mersini ka vendosur që të mbyllë çështjen, pasi fakti i pretenduar nuk përbën vepër penale.

Faksimile e vendimit te prokurorit Alket Mersini per pushimin e padise se ngritur nga opozita ndaj kryeministrit Edi Rama

Pas këtij vendimi reaguan përfaqësuesit e opozitës, të cilët e kanë konsideruar vendimin i marrë nga ndikimi politik i kryeministrit. Kryedemokrati Lulzim Basha, i cili ndodhet në Bruksel në takimet e PPE-së, ka deklaruar se koha e dy drejtësive në Shqipëri do të marrë fund.

“Prokuroria ka refuzuar të hapë hetimet për Edi Ramën, edhe pse ai mashtroi publikisht se kishte bërë ekspertizë private të audiopërgjimit, me qëllim të qartë që të mbronte një kriminel dhe për të ndikuar dhe kërcënuar organet e drejtësisë që të mos hetonin. Gjithashtu, sot, prokuroria ka refuzuar të marrë nën hetim Ardi Veliun dhe Taulant Ballën. Po sot, prokuroria ka lëshuar përmes medieve të pushtetit lajmin se Saimir Tahiri e ka të ligjshëm gjithë luksin në të cilin jeton. Është e njëjta prokurori që burgosi kuksianët, që burgos përditë njerëzit e thjeshtë për shkeljet më të lehta, që heton gazetarët kritikë dhe kundërshtarët politikë.  Në Shqipëri janë vendosur dy drejtësi: një për Edi Ramën dhe kriminelët dhe një tjetër për popullin. Edi Rama dhe kriminelët janë mbi ligjin, kurse mbi popullin ushtrohet dhunë duke abuzuar ligjin. Kësaj “drejtësie” do t’i vijë fundi shumë shpejt!”, deklaron Basha.

Për këtë vendim ka reaguar edhe kryetari i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, i cili e cilëson si dorëzim të prokurorisë ndaj krimit, duke e mbyllur çështjen ndaj kryeministrit.

“Prokuroria i dorëzohet përfundimisht krimit dhe i mbyll çështjen Edi Ramës. Prokuroria e dorëzuar kokë e këmbë të krimi dhe që pacipësisht dënon me arrest gazetarët që denoncojnë të vërtetat e mëdha. Prokuroria që thërret kryetarin e Partisë Demokratike për çështje ordinere. Prokuroria që mbulon provat në audiopërgjimin e Agron Xhafës.

Sot prokuroria pas kallëzimit të opozitës ndaj Edi Ramës që gjoja kishte kryer ekspertizën e audipergjimit ja mbylli pacipësisht sot çështjen. Gazetarët në burg, Edi Rames i mbyllet çështja. Prokuroria i mbylli më parë çeeshtjen Edi Ramës me një falje me Facebook kur i bëri i thirrje policisë të hiqte uniformat e të bënte vota për Rilindjen. Qytetarë! Reforma në Drejtësi ishte burg për ju dhe mbulim i çdo zullumi për Edi Ramën! Turp,turp,turp!!!”, shkruan Vasili në Facebook.

Pas reagimit të kryedemokratit Basha, ka ardhur edhe kundërpërgjigja e Ramës, i cili e lidh me deklarimet e opozitës si një shpifje, duke e lidhur edhe me debatin e hapur për ligjin Antishpifje.

“Imagjinoni për një moment sikur fëmijëve t'u mësonim se shpifjet, sharjet, hiletë e gënjeshtrat, janë mjete jo vetëm të lejueshme, po edhe të nevojshme për të mundur një kundërshtar! Sot këto mjete po u tregtohen përditë shqiptarëve nga humbësit politikë dhe kazanët mediatikë”, shkruan Rama në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë