Drejtësia

Prokuroria nuk çon në gjykatë gjysmën e numrit të akuzave për drogë e korrupsion

Akuzat për më shumë se gjysmën e personave të akuzuar për kultivim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në gjashtë muajt e fundit, nga nëntori 2020 deri në prill 2021 nuk kanë mbërritur në gjykatë.

Qendra “Fol” publikoi raportin studimor “Veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe lufta ndaj lëndëve narkotike. Në këtë periudhë rezulton se në Qarkun e Tiranës janë proceduar 640 persona, ku 191 prej tyre, ose rreth 30 për qind rezultojnë të kapur në flagrancë nga ana e policisë së shtetit.

Nga totali i të proceduarve, për 449 raste procedimi është bërë në gjendje të lirë dhe për 327 raste, ose 51 për qind të totalit organi procedues, ka përmbyllur fazën e hetimeve paraprake duke marrë vendim për të mos filluar procedimet penale,

Në totalin e këtyre personave, rezulton se në 19 raste, ose 3 për qind të tyre ka pasur dyshime dhe elementë për grup të strukturuar kriminal dhe hetimet janë kryer nga SPAK. Masa e sigurimit personal “arrest në shtëpi” u kërkua nga ana e prokurorëve të çështjeve në 13 raste ose rreth 6.8%, ndërkohë që në vetëm 5 raste, 1 prej të cilave nën kompetencën e SPAK kjo masë u la në fuqi nga të dyja shkallët e gjykimit.

Lidhur me 8 rastet e tjera rezulton se Gjykata e Apelit ende nuk është shprehur mbi rastet, ose palët nuk kanë depozituar ankim, duke lënë në fuqi këtë masë siç ka disponuar Gjykata e Shkallës së Parrë. Masa e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është kërkuar nga ana e organit të akuzës ndaj 82 shtetasve ose rreth 12.8% të numrit total të shtetasve të proceduar penalisht. Ndaj 80 shtetasve ose rreth 98% e rasteve ndaj të cilëve është kërkuar caktimi i kësaj mase, kërkesa e prokurorit është aprovuar nga ana e Gjykatës së Shkallës së Parë.

442 shtetas ose rreth 69% e numrit total të shtetasve të proceduar për të gjitha figurat e veprave penale në fushën e drogërave, rezultojnë të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, nga këta 326 shtetas ose rreth 74% e numrit total të janë proceduar në gjendje të lirë.

Sa u takon akuzave të korrupsionit, raporti vëren se në këtë periudhë gjashtëmujore janë procedura penalisht 281 persona, ku 70 prej tyre nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Në pjesën më dërrmuese të rasteve, 228 raste, akuza e ngritur ka qenë ajo për shpërdorim detyre.

Prokuroria ka vendosur mosfillimin e procedimit penal në 103 raste, ose në rreth 49 për qind të totalit të të dyshuarve për shpërdorim detyre, ku 25 raste ishin kompetencë e SPAK>

Vetëm 49 shtetas, ose rreth 17.4% të rasteve janë arrestuar nga ana e efektivëve të policisë, në gjendje të flagrancës ose pas lëshimit të vendimeve gjyqësore ndaj tyre në mungesë. Në 44 raste, ose rreth 15.6% e numrit total të procedimeve të regjistruara për veprat penale në fushën e korrupsionit rezulton se subjekte të denoncuar rezultojnë përfaqësues ose ish-përfaqësues të sistemit të drejtësisë. Në 7 prej këtyre rasteve ose rreth 16%, organi i akuzës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, vendimmarrje e cila nuk rezulton të jetë ankimuar nga ana e qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë