Politike

Prokuroria “kundërshton” marrëveshjen e 5 qershorit

Prokuroria e Përgjithshme ka kundërshtuar si antikushtetues dhe kundër frymës së ligjit për organizimin dhe funksionimin e saj propozimin e bërë për ndryshimet e këtij ligji në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit.

“Ndryshimet për ne nuk janë të nevojshme, sepse ndërhyrjet si tek neni 43, ashtu edhe shtesa tek neni 107 duke shtuar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e kemi konsideruar si të pabazuar edhe në Kushtetutë, edhe në frymën e të gjithë ligjit për funksionimin dhe organizimin e prokurorisë”, deklaroi para Komisionit të Ligjeve në emër të Prokurorisë, Kujtim Luli.

Luli thotë se propozimet në fjalë cenojnë pavarësinë e prokurorit dhe se marrëdhënia mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të vazhdojë të rregullohet si aktualisht, përmes marrëveshjeve dypalëshe mes institucioneve dhe përmes një udhëzimit të brendshëm të Prokurorit të Përgjithshëm.

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja i dha të drejtë arsyetimit të Prokurorisë dhe e vlerësoi si cen mungesën e konsultimeve me këtë institucion gjatë kalimit të reformës zgjedhore më 23 korrik, ku u reflektua marrëveshja politike e 5 qershorit.

Sipas kësaj marrëveshjeje, prokurorët marrin rol aktiv në zbulimin, hetimin dhe ndëshkimin e krimit zgjedhor. Kjo dakordësi u reflektua në propozimin e deputetit socialist, Alket Hyseni më datë 22 shtator.

Hyseni propozon shtimin e një pike në dy nene, nenin 43 dhe nenin 107. Në nenin 43, prokurori caktohet në drejtimin dhe përgjegjësinë per hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të cilat janë kompetencë e prokurorisë që drejton.

Në nenin 107 përcaktohet se Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas juridiksionit përkatës i japin informacion KQZ-së për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve. Informacioni jepet me të dhënat për çështjet penale, personat nën hetim, kohëzgjatjen e hetimit dhe përfundimin e tij, të dhënat për kërkesat e prokurorisë për gjykim, kohëzgjatjen e gjykimit dhe përfundimin e tij, të dhënat për ankimimin e vendimeve gjyqësore.

Për të dyja këto ndryshime, Prokuroria e Përgjithshme thotë se janë të parashikuara më herët në Kodin Zgjedhor dhe në udhëzimet e Prokurorit të Përgjitshëm, apo marrëveshjeve dypalëshe me KQZ-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë